Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dënuar me burgim të përjetshëm, Naim Murselin dhe Granit Plavën, për vrasjen e Liridona Ademajt.
Gjykimi historik sapo u dha.
Ndërkohë, Kushtrim Kokalla është dënuar me 30 vjet burgim.
Si ndodhi vrasja?
Mbrëmjen e 29 nëntorit të 2023-ës, Liridona Ademaj u vra në një rrugë në fshatin Bërnicë të Prishtinës, teksa ishte në veturë bashkë me bashkëshortin Naim Murselin dhe dy fëmijët e tyre.
Murseli u shpall fajtor se kishte planifikuar vrasjen e saj, me qëllim që të përfitonte nga sigurimi i saj jetësor në Suedi, në vlerë prej rreth 260 mijë eurosh.
Kokalla e kishte njoftuar Murselin me Plavën, i cili akuzohet se ishte dorasi.
Plava akuzohet se kishte vrarë Ademajn me armë zjarri, duke e qëlluar në kokë, sipas ekspertit mjekoligjor, në një largësi prej 2 deri në 5 centimetra.
Sipas Prokurorisë, ai kishte kryer vrasjen në këmbim të 30 mijë eurove nga Murseli.
