Sot po mbahet seanca e Kuvendit në kujtim të kongresistit amerikan, Eliot Engel, raporton Gazeta Enigma.
Me këtë rast Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, e ka cilësuar Engel si zë të fuqishëm në momentet më të vështira të historisë së Kosovës.
“Ai nuk kishte lidhje gjaku, nuk kishte lindur në Prishtinë, Pejë apo Gjakovë, por zemra e tij rrihte në sinkron me dhimbjet e nënave tona, me nxënësit që mësonin shqip në shtëpi private dhe me ushtarët tanë çlirimtarë. Engel ishte një mbështetës i palëkundur. Ai fliste për një popull të vogël në Ballkan që po shtypej dhe trokiste në çdo derë për të thënë se Kosova duhej të ishte e lirë”, tha ajo.
Lushaku-Sadriu veçoi në mënyrë të veçantë raportin e tij me presidentin historik Ibrahim Rugova, duke thënë se mes tyre ekzistonte një marrëdhënie besimi dhe respekti të ndërsjellë – e mbi të gjitha vizioni për Kosovën e lirë.
“Engel kishte marrëdhënie të veçantë me presidentin Ibrahim Rugova, me të cilin ndante besimin dhe respektin për vizionin e përbashkët për një Kosovë të lirë, të pavarur dhe demokratike. Në atë miqësi mishërohej një aleancë e sinqertë, e ndërtuar mbi vlera shtetformuese”, tha deputetja.
