Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti pas adresimit të tij ku akuzoi partitë opozitare për mosarritjen e njëmarrëveshjeje për zgjedhjen e Presidentit.
Në reagimin e saj, Çitaku ka thënë se Kosova nuk i përket vetëm një partie apo një lideri.
“Kryeministër, qetësohu. Përkundër kapjes së institucioneve, Kosova fatmirësisht nuk është vetëm e jotja”, ka deklaruar ajo.
Ajo ka kërkuar përgjegjësi më të madhe në qeverisje, duke iu referuar rezultatit zgjedhor.
“Si do t’ia shpjegosh popullit që t’i dhanë 51% të votave se nuk dëshiron e nuk din të qeverisësh?”, ka thënë Çitaku.
Ajo shtoi se, sipas saj, qytetarët do të japin përgjigje në zgjedhjet e ardhshme.
“Ti do ta marrësh përgjigjen e merituar nga ta”, u shpreh ajo.
Çitaku i bëri thirrje kryeministrit që të fokusohet në qeverisje ose të tërhiqet nga posti.
“Ose qeveris, bashkëpuno e jepi drejtim Kosovës, ose lësho rrugë”, tha ajo.
Ajo theksoi se Kurti nuk është kundërshtar politik në kuptim personal, por sfidë për shtetin.
“Ti nuk je armiku ynë. Ti je vetëm një sfidë”, deklaroi Çitaku, duke shtuar se qytetarët do të vendosin në zgjedhjet e ardhshme.
