Emiratet e Bashkuara Arabe kanë njoftuar të martën se po largohen nga grupi i prodhuesve të naftës OPEC, në një kohë kur kriza energjetike e shkaktuar nga lufta me Iranin po thellon përçarjet mes vendeve të Gjirit.
Vendimi është konfirmuar nga ministri i Energjisë, Suhail Mohamed al-Mazrouei, i cili për Reuters ka deklaruar se bëhet fjalë për një hap të marrë pas një analize të thelluar të politikave energjetike të vendit.
“Ky është një vendim politik, është marrë pas një shqyrtimi të kujdesshëm të politikave aktuale dhe të ardhshme që lidhen me nivelin e prodhimit”, ka thënë ai.
I pyetur nëse Emiratet janë konsultuar me Arabinë Saudite, që konsiderohet lider de facto i OPEC-ut, Mazrouei ka theksuar se “Emiratet nuk e ngritën këtë çështje me asnjë vend tjetër”.
Dalja e një anëtari të kahershëm si Emiratet e Bashkuara Arabe pritet të dobësojë kohezionin e OPEC-ut, i cili tradicionalisht është përpjekur të ruajë një front të bashkuar pavarësisht dallimeve të brendshme, qoftë në aspektin gjeopolitik apo në kuotat e prodhimit.
Ndërkohë, prodhuesit e Gjirit po përballen me vështirësi serioze në transportimin e eksporteve përmes Ngushticës së Hormuzit, një pikë kyçe ndërkombëtare mes Iranit dhe Omanit, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e naftës së papërpunuar dhe gazit natyror të lëngshëm në botë. Këto vështirësi lidhen me kërcënimet dhe sulmet iraniane ndaj anijeve.
Mazrouei ka shtuar se largimi i Emirateve, që përfshin edhe daljen nga OPEC+, nuk pritet të ketë ndikim të madh në treg, pikërisht për shkak të situatës së krijuar në këtë ngushticë strategjike.
Ky zhvillim është parë edhe si një avantazh për presidentin amerikan Donald Trump, i cili në vitin 2018, gjatë një fjalimi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, kishte akuzuar OPEC-un se “po zhvat pjesën tjetër të botës” duke rritur çmimet e naftës.
Trump kishte lidhur gjithashtu mbështetjen ushtarake të SHBA-së për vendet e Gjirit me çmimet e naftës, duke deklaruar se, ndërsa SHBA-ja i mbron anëtarët e OPEC-ut, ata “e shfrytëzojnë këtë duke vendosur çmime të larta të naftës”.
Vendimi i Emirateve vjen në një moment tensionesh të larta rajonale, pasi ky vend, një qendër e rëndësishme financiare dhe aleat kyç i Uashingtonit, ka kritikuar shtetet e tjera arabe se nuk po bëjnë mjaftueshëm për t’i mbrojtur nga sulmet e shumta iraniane gjatë luftës.
