Admirali Giuseppe Cavo Dragone, një nga figurat e larta ushtarake të NATO-s dhe Kryetar i Komitetit Ushtarak të Aleancës, ka njoftuar se nuk ka plane për reduktimin e trupave në Kosovë.
Sipas tij, misioni i NATO-s në Kosovë është shumë i rëndësishëm për stabilitetin e gjithë zonës.
“Misioni në Kosovë është sigurisht shumë i rëndësishëm për stabilitetin e gjithë zonës, për përkushtimin që NATO-ja ka për sigurimin e një ambienti të sigurt e të rregullt për gjithë Kosovën. Kam ardhur këtu me gjithë Komitetin Ushtarak, pra 32 gjeneralë dhe admiralë nga të 32 vendet anëtare të NATO-s, që ata të kenë kontakt të drejtpërdrejtë me realitetin në terren. Tani ata i dinë gjërat për vendin tuaj, atë që ndodh këtu, kjo sigurisht do të jetë shumë e dobishme kur ne takohemi dhe marrim vendimet tona”, ka thënë ai për televizionin publik.
Derisa foli për kapacitetet ushtarake, Dragone e përmendi edhe angazhimin më të madh të personelit në zona të caktuara operimi, e edhe shtimin e trupave gjatë incidentit në veri më 2023.
