Analisti Arton Muhaxheri tha për Gazetën “Enigma” se misioni për të cilën foli përmes një video-mesazhi ish-presidentja Osmani, synon të krijoj një lidhje emocionale me qytetarët.
“Kur flet për “mision”, Osmani në fakt po ndërton një narrativë përtej mandatit formal. “Misioni” nuk është vetëm institucional, por synon të krijojë një lidhje më emocionale me qytetarët – një lloj legjitimiteti që buron nga mbështetja popullore dhe jo vetëm nga procedurat kushtetuese. Kjo mund të funksionojë në mobilizim, sidomos nëse kriza zgjatet, por ka një kufi: qytetarët lodhen shpejt nga retorika nëse nuk shohin rezultate konkrete. Pra, si instrument politik, “misioni” ka potencial, por jo pafundësi”, tha ai.
Muhaxheri shtoi se mesazhi i saj pas dështimit të zgjedhjes së presidentit në thelb pati pozicionim të kujdesshëm politik.
“Mesazhi i Vjosa Osmani pas dështimit për zgjedhjen e presidentit ishte i ndërtuar në një vijë të dyfishtë: në sipërfaqe thirrje për unitet, në thelb pozicionim i kujdesshëm politik. Gjuha e përdorur ishte përfshirëse, por konteksti në të cilin u dha – një bllokadë institucionale me përgjegjësi të shpërndara – e bën të vështirë të lexohet si thirrje neutrale. Ishte më shumë një përpjekje për ta mbajtur rolin e arbitrit moral, duke mos u konsumuar drejtpërdrejt në konflikt, por njëkohësisht duke e ruajtur kapitalin politik për zhvillimet që mund të vijnë”, tha ai.
Tutje, Muhaxheri tha se pozicionimi i Osmanit me LDK-në në zgjedhjet e ardhshme do i jepte siguri, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje si e pavarur, do i jepte më shumë kontroll por me rrezik më të madh.
“Sa i përket një skenari ku Osmani futet në garë zgjedhore, ajo do të përballej me një dilemë strategjike. Me Lidhja Demokratike e Kosovës do të kishte një bazë të gatshme strukturore dhe elektorale, por edhe kufizime për shkak të historisë dhe tensioneve të brendshme. Nëse shkon e vetme, ka më shumë liri dhe mund të kapitalizojë imazhin e saj si figurë mbi partitë, por rrezikon fragmentim të votës dhe mungesë infrastrukture. Në terma të pastër elektoralë, LDK i jep siguri; në terma politikë afatgjatë, një projekt i pavarur mund t’i japë më shumë kontroll – por me kosto më të lartë dhe rrezik më të madh”, shtoi ai.
Muhaxheri tha se përgjegjësia për moszgjedhjen e presidentit i bie edhe opozitës, por jo plotësisht.
“Sa i përket opozitës, përgjegjësia është reale dhe nuk mund të relativizohet plotësisht. Bojkotimi si mjet politik është legjitim në parim, por në raste si zgjedhja e presidentit – që është funksion kushtetues dhe jo vetëm politik – ai bëhet i diskutueshëm. Opozita mund të argumentojë se po kundërshton një proces të imponuar ose kandidatura të papranueshme, por efekti praktik është bllokimi i institucioneve. Në këtë kuptim, është një kalkulim politik: fiton pikë te elektorati i vet, por rrezikon të shihet si faktor destabilizues në plan më të gjerë”, u shpreh Muhaxheri.
Këto bllokada, sipas tij, vetëm po e thellojnë polarizimin në peisazhin politik në vend.
“Kjo situatë, pa shumë dilemë, e thellon polarizimin. Kosova ka hyrë prej kohësh në një cikël ku çdo krizë politike prodhon edhe më shumë mosbesim mes palëve. Kur institucionet nuk funksionojnë normalisht, qytetarët e humbin besimin jo vetëm te partitë, por te vetë sistemi. Nëse kjo vazhdon, dëmi nuk është vetëm momental – krijon precedent që bllokada të tilla të bëhen normë, jo përjashtim”, tha ai.
“Në fund, ajo që po shihet nuk është thjesht krizë procedurale, por përplasje e modeleve politike: njëra që kërkon kontroll institucional përmes shumicës dhe tjetra që e përdor bllokimin si mjet presioni. Brenda kësaj përplasjeje, Osmani po përpiqet të qëndrojë mbi lojë – por në politikën kosovare, qëndrimi mbi lojë zakonisht nuk zgjat shumë pa u detyruar të zgjedhësh anë”, përfundoi Muhaxheri.
