Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka ndarë një deklaratë, ku thuhet se gazetrët në vendin tonë vazhdojnë të mbesin target i sulmeve..
Sipas AGK-së, gazetarët në Kosovë vazhdojnë të ballafaqohen me një numër sfidash për kryerjen e punës së tyre, ku kryesorja, siç theksohet në deklaratë, mbetet një fushatë e pandalshme nga ana e Qeverisë së Kosovës dhe partisë politike në pushtet, Vetëvendosje, në përpjekje për të delegjitimuar punën e gazetarëve,
“Gazetarët dhe mediat mbesin cak i sulmeve nëpërmjet fjalorit denigrues që ka për qëllim uljen e besimit të publikut në raportimin e tyre”, thuhet në deklaratë.
AGK-ja i ka bërë thirrje Qeverisë në detyrë, Vetëvendosjes dhe gjithë akterëve politikë që të respektojnë dhe të mos e pengojnë punën e gazetarëve, si faktor kyç në zhvillimin demokratik të vendit.
Ndër të tjera, asociacioni ka shprehur shqetësim që shumica parlamentare, në një procedurë të shpejtë dhe të komprometuar, ka zgjedhur anëtarët e bordeve të RTK-së dhe KPM-së, që ka rezultuar, siç thonë ata, në tendencë të hapur për kontrollimin politik dhe partiak të të dyja institucioneve.
“AGK-ja vëren përmirësimin në renditjen e Kosovës në Indeksin e Reporterëve Pa Kufij këtë vit, i cili ka ndodhur për shkak të vendimit meritor të Gjykatës Kushtetuese që e ka shpallur antikushtetues Ligjin për KPM-në, të miratuar në Kuvend nga Vetëvendosje. Nëpërmjet këtij vendimi dhe të tjerëve, sistemi gjyqësor mbetet garantuesi më i rëndësishëm i lirisë së medias në Kosovë. Kjo reflektohet edhe në miratimin e Strategjisë së KGJK-së që do t’u japë prioritet rasteve të gazetarëve. AGK-ja bën thirrje për politika më të ashpra ndëshkimore në rastet kur gazetarët janë viktima të sulmeve”, thuhet ndër të tjera në deklaratën për media.
:AGK-ja vazhdon të mbetet e përkushtuar për sigurinë e gazetarëve, duke i dokumentuar dhe denoncuar ato e duke punuar me organet e sigurisë e drejtësisë për zgjidhjen e rasteve. AGK-ja angazhohet për përmirësimin e kushteve të punës për gazetarët dhe punonjësit medialë dhe i inkurajon ata që të paraqesin në Inspektoratin e Punës mosrespektimin e kontratave dhe të Ligjit të Punës në përgjithësi.Me punën e tyre të vazhdueshme, gazetarët dhe mediat në Kosovë vazhdojnë t’i shërbejnë interesit publik për informim dhe luajnë rol të pazëvendësueshëm në forcimin e demokracisë në Kosovë”.
