Dy fëmijë u goditën për vdekje në Durrës, reagon Edi Rama

Dy fëmijë u goditën për vdekje në Durrës, reagon Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për aksidentin tragjik të ndodhur sot në zonën e Spitallës, ku humbën jetën dy fëmijë dhe u plagos rëndë një i tretë.

Kreu i qeverisë në një mesazh në “X” e konsideron ngjarjen një “tragjedi të pangushëllueshme”.

“Sapo kemi zbritur në Erevan të Armenisë për Komunitetin Politik Europian dhe kam mësuar për tragjedinë e pangushëllueshme të humbjes së dy fëmijëve, ndërkohë që fëmija i tretë lufton për jetën nën kujdesin e mjekëve. Zoti bekoftë dy shpirtrat e vegjël, u dhëntë forcën e jashtëzakonshme prindërve për t’i mbijetuar dhimbjes së madhe, ndërkohë që bashkohem në lutjet për shërimin e fëmijës në spital”, shkruan Rama në platformën “X”.

Katër fëmijë ishin duke luajtur në trotuar në momentin që mjeti tip “Benz ML” i drejtuar nga Nikoll Radaçi, përplasi tre të mitur, ndërsa një i katërt i shpëtoi mrekullisht aksidentit. Dy fëmijë humbën jetën menjëherë në vendngjarje, ndërsa fëmija i tretë u transportua në Spitalin e Traumës, ku ndodhet në gjendje të rëndë. Dyshohet se drejtuesi 57-vjeçar i makinës tip “Benz ML” ishte i dehur në timon.

Në lidhje me ngjarjen ka reaguar më herët edhe Presidenti Bajram Begaj, i cili u bëri thirrje institucioneve përgjegjëse që të marrin masa për rritjen e sigurisë.

Related Articles