Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se ka filluar periudha për kundërshtimin e pasaktësive në Listën Preliminare të Votuesve për zgjedhjet e 7 qershorit
Kjo do të zgjas deri më 18 maj dhe gjatë kësaj periudhe 13 ditore, çdo person me të drejtë vote që nuk figuron në listën votuese, është caktuar gabimisht në qendër tjetër të votimit apo ka të dhëna të tjera të pasakta, mund të kërkojë nga KQZ rishikimin e saj përmes platformës elekronike: https://qv.kqz-ks.org, ose siç thuhet në njoftim, duke u paraqitur në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën përkatëse.
“Po ashtu, gjatë kësaj periudhe votuesi mund ta kundërshtojë pasaktësinë e Listës Preliminare të Votuese edhe për ndonjë emër të votuesit për të cilin pretendon se nuk duhet të figurojë në këtë listë, përfshirë edhe rastet kur në këtë listë figuron emri i ndonjë personi të vdekur. Në këtë rast, ankesa duhet të parashtrohet në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa”.
“Për të kundërshtuar pasaktësitë për Listën Preliminare të Votuesve, votuesi duhet të indentifikohet me njërin nga tri dokumentet: Letërnjoftim i vlefshëm; pasportë e vlefshme; leje e vozitjes e vlefshme”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
