IKD: Mbi 40% e seancave të Kuvendit ishin të jashtëzakonshme

IKD: Mbi 40% e seancave të Kuvendit ishin të jashtëzakonshme

Hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Naim Jakaj, ka deklaruar se Legjislatura e X-të e Kuvendit të Kosovës është karakterizuar nga dominimi i seancave të jashtëzakonshme dhe kontrolli i agjendës parlamentare nga shumica parlamentare.

Gjatë prezantimit të raportit monitorues për Legjislaturën e X-të, Jakaj tha se në periudhën shkurt–prill 2026, aq sa zgjati Legjislatura e X-të, Kuvendi ka mbajtur gjithsej 24 seanca, prej të cilave 10 kanë qenë seanca të jashtëzakonshme apo 41.7% e totalit.

“Vetëm 7 ishin seanca të rregullta apo 29.2%. Nga këto 10 seanca të jashtëzakonshme, 8 janë thirrur nga shumica parlamentare- Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa opozita ka përdorur këtë mekanizëm në mënyrë shumë më të kufizuar. Këto të dhëna tregojnë jo vetëm dominim të agjendës parlamentare nga shumica, por edhe një orientim të theksuar drejt vendimmarrjes ad hoc”, ka deklaruar Jakaj, shkruan Betimi për Drejtësi.

Sipas tij, një praktikë e tillë e dobëson funksionin e Kuvendit si institucion për debat të strukturuar dhe vendimmarrje të menduar.

Jakaj tha se opozita ka përdorur në mënyrë shumë më të kufizuar mekanizmin e seancave të jashtëzakonshme, duke reflektuar ndikim më të vogël në përcaktimin e agjendës parlamentare.

Ndryshe, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me mbështetjen e Rockefeller Brothers Fund, të martën publikoi raportin monitorues për Legjislaturën e X-të të Kuvendit të Kosovës.

Related Articles