Anulohet për çështje procedurale seanca ndaj Sami Lushtakut dhe të tjerëve

Anulohet për çështje procedurale seanca ndaj Sami Lushtakut dhe të tjerëve

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është anuluar seanca e së mërkurës në rastin ku për krim të organizuar dhe vepra tjera penale po akuzohen Sami Lushtaku, Ismet Haxha, Rrustem Rrukolli, Fatmir Mjaku, Sheremet Jashari, Rexhep Xhota, Skender Tahiri dhe Bajram Dibrani.

Anulimin e seancës e ka konfirmuar kryetari i trupit gjykues, Leon Përlaska, me arsyetimin se Prokuroria Speciale ka propozuar prova të reja, andaj për çështje procedurale seanca e planifikuar për sot është anuluar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, në këtë rast gjykimi është duke vazhduar për pikën 16, 17 dhe 18 të aktakuzës ndaj Sami Lushtakut, Ismet Haxhës, Rrustem Rrukolli, Fatmir Mjaku, Rexhep Xhota, Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani, për të cilët ishte veçuar procedura.

Në këtë rast, në pikat tjera të aktakuzës ngarkoheshin: Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Lushtaku, Sahit Jashari, Ismet Haxha, Mergim Lushtaku, Dardan Geci, Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj, Argjent Behramaj, Yll Blakaj, Gzim Ahmeti, Xhevdet Zena, Mervete Hasani-Lushtaku, Agim Ukaj, Ismail Dibrani, Sami Gjoka dhe Nexhib Shatri.

Fillimisht, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 5 prill 2018, kishte refuzuar kërkesat e mbrojtjes për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, me arsyetimin se kishte vërtetuar se nuk ka parashkrim të veprës penale dhe se mbrojtja nuk ka paraqitur prova të mjaftueshme për t’i aprovuar ato. Aktvendimin e Themelores, e kishte lënë në fuqi Gjykata e Apelit në korrik 2018.

Related Articles