Bajrami: Kurti e ka gojën plot propagandë për zhvillim ekonomik – Vendi po përballet me varfëri të thellë

Bajrami: Kurti e ka gojën plot propagandë për zhvillim ekonomik – Vendi po përballet me varfëri të thellë

Kandidatja e LDK-së për deputete, Hykmete Bajrami, ka reaguar pasi Fondi Monetar Ndërkombëtar, e renditi Kosovën, si vendin e dytë më të varfër në Evropë.

Bajrami tha për kryeministrin në detyrë Albin Kurtin se “qe gjashtë vjet e ka gojën plot propagandë për zhvillim e lulëzim ekonomik”.

“Vendi ynë po përballet me varfëri të thellë. Këtë nuk e thotë vetëm WorldAtlas, që u komentua shumë dje, por edhe institucionet ndërkombëtare si Banka Botërore dhe FMN-ja”, tha Bajrami.

Ish ministrja e Financave tha se situata është edhe më shqetësuese sesa duket.

“Sipas databazës zyrtare të Bankës Botërore, varfëria ekstreme sipas pragut ndërkombëtar të Bankës Botërore prej 3 dollarë në ditë, Kosova del me 10% varfëri ekstreme, ndërsa Serbia me 1.1%, Shqipëria me 0.3%, Bosnja dhe Hercegovina me 0.3%, Mali i Zi me 2.5% dhe Maqedonia e Veriut me 3.9%. Pra, Kosova mbetet ndër vendet me varfërinë më të lartë në rajon”, shkroi Bajrami.

“Zhvillimi ekonomik nuk matet vetëm në terma nominalë. Rritja e buxhetit nuk është domosdoshmërisht zhvillim, sidomos kur një pjesë e saj vjen nga rritja enorme e çmimeve. Në prill, norma e inflacionit ishte 7.5%, ndërsa për shumë artikuj bazikë rritja e çmimeve është edhe më e lartë. Jeta për shumë qytetarë është bërë e papërballueshme, sepse pagat e tyre, me këto çmime, kanë humbur vlerë, andaj qytetarët janë të zhytur në kredi”, u shpreh më tej Bajrami.

Tutje ajo tha se vendi është futur sërish në proces zgjedhor për një arsye të vetme: “sepse Kurti i do të gjitha. Fatkeqësisht, diskursi që ai ka mbjellë qe gjashtë vjet ka të bëjë vetëm me pozita, vetëm me karrige”.

“Sot, më shumë se kurrë, duhet të ketë ballafaqim programesh e idesh: si të dilet nga varfëria, si të zhvillohet sektori privat, si të nxitet prodhimi vendor, çka me kapacitetet energjetike dhe si t’u japim të rinjve perspektivë, që ikja nga Kosova të mos jetë zgjedhja e tyre e vetme”.

“Më 7 qershor duhet të votojmë me bindje. Duhet të dalim nga rrethi vicioz i propagandës dhe autokracisë”, tha në fund Bajrami.

Related Articles