Ka ndërruar jetë njëri nga gjashtë personat e lënduar pas aksidentit mes tri veturave në fshatin Dobërllukë të Vushtrrisë.
Sipas policisë, pas trajtimit në emergjencën e spitalit në Vushtrri, personat e lënduar janë dërguar për trajtim në QKUK. Rreth orës 14:00, nga mjeku është konfirmuar se, si pasojë e lëndimeve të pësuara, personi me lëndime të rënda ka humbur jetën.
“Sot, më datë 18.05.2026, rreth orës 11:50, në rrugën nacionale Mitrovicë–Prishtinë, përkatësisht në segmentin rrugor në fshatin Doberllukë të Vushtrrisë, ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime. Në aksident kanë qenë të përfshira tri automjete me targa civile-vendore, ndërsa gjashtë persona të lënduar në këtë aksident janë dërguar fillimisht në emergjencën e spitalit në Vushtrri. Njëri nga drejtuesit e automjeteve ka pësuar lëndime të rënda trupore”, ka njoftuar Policia.
“Pas marrjes së ndihmës së parë, personat e lënduar janë dërguar për trajtim të mëtutjeshëm në QKUK. Rreth orës 14:00, nga mjeku është konfirmuar se, si pasojë e lëndimeve të pësuara, personi me lëndime të rënda ka humbur jetën. Trupi i pajetë i viktimës, mashkull i moshës 74-vjeçare, me urdhër të prokurorit, është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Hetuesit e aksidenteve të trafikut do të vazhdojnë hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit”.
