Policia e Kosovës ka njoftuar se të martën e 19 majit në fshatin Herticë të Podujevës ka parandaluar një rast të kontrabandës me mallra, me ç’rast është ndaluar një traktor me rimorkio të ngarkuar me 161 bidonë të mbushur me gjithsejtë 2898 litra vaj motorik të kontrabanduar nga territori i Serbisë, raporton Gazeta “Enigma”.
Tutje ata kanë njoftuar se malli i kontrabanduar është dërguar në terminalin doganor në Merdare për procedura të mëtejshme doganore nga Dogana e Kosovës.
“Policia e Kosovës, në kuadër të angazhimeve policore në ruajtjen e kufirit shtetëror dhe parandalimin e aktiviteteve të kundërligjshme ndërkufitare, njësitë policore kufitare, me datën 19 maj 2026, në fshatin Herticë komuna e Podujevës, kanë parandaluar një rast të kontrabandës me mallra, me ç’rast është ndaluar një traktor me rimorkio të ngarkuar me 161 (njëqind e gjashtëdhjetë e një) bidonë të mbushur me gjithsejtë 2898 (dy mijë e tetëqind e nëntëdhjetë e tetë) litra vaj motorik të kontrabanduar nga territori i Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, duke kaluar ilegalisht në rrugë malore përmes vijës kufitare”, thuhet në njoftimin e Policisë.
“Malli i kontrabanduar është dërguar në terminalin doganor në Merdare për procedura të mëtejshme doganore nga Dogana e Kosovës, ndërsa me autorizim të prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti ‘kalim i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose vijës kufitare&kontrabandim me mallra’. Personi i dyshuar, pas intervistimit, lirohet dhe rasti vazhdon në procedurë të rregullt”, njofton Policia.
