Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka lëshuar Urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj shtetasit të Kosovës, 76-vjeçarit me inicialet B.B, nën dyshimet se shkaktoi aksidentin me katër të vdekur.
Ai dyshohet për veprën penale – Vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pasurisë në komunikacion.
“I dyshuari, i moshës 76-vjeçare, po drejtonte një automjet transportues (kamion) të markës MAN me gjysmërimorkio me targa të Kosovës, përgjatë autostradës veriore të qytetit të Shkupit (unazës), në drejtim nga perëndimi në lindje. Gjatë lëvizjes, ai nuk u është përmbajtur rregullave të qarkullimit rrugor, duke rrezikuar kështu komunikacionin publik dhe duke vënë në rrezik jetën e njerëzve.
Kur ka arritur në afërsi të nyjës qarkulluese në Mirkovc, ai nuk e ka përshtatur shpejtësinë e lëvizjes së automjetit me vetitë dhe gjendjen e rrugës, dendësinë e trafikut dhe kushtet e tjera të qarkullimit, në mënyrë që të mund ta ndalonte mjetin në kohë përpara çdo pengese që mund ta parashikonte në ato rrethana”.
“Në një moment, shoferi ka humbur kontrollin mbi automjetin dhe ka kthyer majtas, me ç’rast ka goditur dhe shpuar rrethojën mbrojtëse metalike. Ai ka vijuar lëvizjen duke kaluar në korsinë e autostradës të destinuar për qarkullimin e automjeteve nga drejtimi i kundërt, ku është goditur ballas nga një veturë e markës “BMW”, e cila po lëvizte në drejtim nga lindja në perëndim”.
“ Si pasojë e përplasjes, vetura dhe kamioni janë përfshirë nga flakët. Nga ky aksident, në vendin e ngjarjes kanë ndërruar jetë katër pasagjerët që ndodheshin në veturë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Mes tjerash, Prokuroria në Shkup ka kërkuar masën e paraburgimit ndaj kosovarit.
“Duke qenë se ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezikun e arratisjes si dhe mundësinë që i dyshuari të përsërisë veprën penale, prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake propozimin për caktimin e masës së paraburgimit’.
