DASH përfshin Kosovën në projektet strategjike energjetike të Ballkanit Perëndimor

DASH përfshin Kosovën në projektet strategjike energjetike të Ballkanit Perëndimor

Departamenti Amerikan i Shtetit ka përmendur Kosovën në raportin më të fundit drejtuar Kongresit amerikan mbi promovimin e stabilitetit dhe prosperitetit në Ballkanin Perëndimor, duke vënë theks të veçantë te projektet energjetike me rëndësi rajonale.

Në dokument përfshihen përmirësimet në termocentralet me qymyr në Kosovë, si dhe projektet për gazifikimin e qymyrit, të cilat konsiderohen pjesë e përpjekjeve për forcimin e sigurisë energjetike dhe reduktimin e varësisë nga energjia ruse.

Raporti thekson gjithashtu rëndësinë e ndërtimit të kabllove shtesë të transmetimit që do të lidhin rrjetet energjetike të vendeve të Ballkanit Perëndimor me tregjet evropiane të energjisë.

Sipas dokumentit, SHBA-ja synon të nxisë angazhimin e sektorit privat amerikan në projekte strategjike energjetike në rajon, përfshirë ndërlidhësit e gazit, zhvillimin hidroenergjetik dhe modernizimin e infrastrukturës ekzistuese.

Në raport përmenden edhe projekte të tjera rajonale, si tubacioni i gazit ndërmjet Kroacisë dhe Bosnje e Hercegovinës, si dhe ndërlidhësi i propozuar i gazit mes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, këto investime synojnë të forcojnë integrimin energjetik të Ballkanit Perëndimor me tregun evropian dhe të rrisin sigurinë strategjike të rajonit.

Related Articles