“Produktet menstruale nuk janë luks”, QIKA: Hiqeni TVSH-në prej 18%

“Produktet menstruale nuk janë luks”, QIKA: Hiqeni TVSH-në prej 18%

Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion (QIKA) ka njoftuar se u ka dërguar të gjitha partive politike një kërkesë për nënshkrimin e një zotimi publik kundër varfërisë menstruale.

Sipas QIKA-s, përmes këtij zotimi partitë politike do të angazhoheshin që gjatë legjislaturës së ardhshme të ndërmarrin hapa konkretë për luftimin e varfërisë menstruale, të mbështesin politika publike që sigurojnë qasje të barabartë në produktet menstruale dhe t’i trajtojnë ato si produkte esenciale, e jo si luks.

Organizata ka bërë të ditur se partitë që do të jenë pjesë e qeverisë së ardhshme do të zotoheshin gjithashtu për largimin e TVSH-së prej 18 për qind nga produktet menstruale.

QIKA thekson se ky zotim mbështetet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjin për Barazi Gjinore dhe në detyrimet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të grave dhe vajzave.

Në reagimin e saj, organizata u ka bërë thirrje subjekteve politike që të marrin përgjegjësi dhe të ndërmarrin masa konkrete për adresimin e varfërisë menstruale, të cilën e konsideron një formë të diskriminimit të institucionalizuar që prek gratë dhe vajzat në Kosovë.

“Produktet menstruale nuk janë luks”, thuhet në thirrjen e QIKA-s drejtuar partive politike.

Related Articles