Kandidatja për presidente, Vjosa Osmani në hapjen e fushatës së LDK-së bëri thirrje për unitet dhe zhvillim të Kosovës, duke theksuar se shteti është amanet i Ibrahim Rugovës dhe dëshmorëve.
Ajo tha se rruga e partisë vazhdon mbi parimet e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë.
“Të dashur qytetarë të vendit tim, këtu në këtë sallë, anë e mbanë Kosovës e në mërgatën tonë, që sytë dhe zemrën që e keni gjithmonë me Kosovën. Gra dhe nëna që zgjoheni çdo ditë më frikën që fëmijët ta marrin rrugën e mërgimit, “rugovistë” të nderuar. Po e nisim këtë rrugë me besim në zot, në shtet e në familje, po e nisim duke e lidhur besën me njëri-tjetrin e duke u betuar para popullit e para zotit se këtë shtet që e kemi amanet të Rugovës e dëshmorëve, nuk do ta lëmë që të shkatërrohet nga përqarjet por do ta ndërtojmë e zhvillojmë edhe më shumë.
“Po e rinisim këtë rrugë, të gjithë se bashku në këtë shtëpi të madhe nga shtëpia jonë e përbashkët ku rëndon mbi supe trashëgimia më e çmuar politike. Po e vazhdojmë këtë rrugë, pikërisht ku kishte nisur me tri postulatet e shenjta, liri, pavarësi dhe demokraci. Faleminderit të gjithëve për përzemërsinë, për të gjithë mbështetjen dhe dashurinë që na dhatë…”, tha Osmani.
