Mediat e huaja për zgjedhjet në Kosovë: Vendi i varfër me tri palë zgjedhje në 18 muaj

Mediat e huaja për zgjedhjet në Kosovë: Vendi i varfër me tri palë zgjedhje në 18 muaj

Disa prej mediave më prestigjioze të huaja, kanë raportuar të dielën për zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, teksa ato kanë vënë theksin te mbajta e tyre për herë të tretë brenda 18 muajsh.

Agjencia e lajmeve Reuters, ka shkruar se shteti më i ri dhe më i varfër i Evropës, ka aspirata për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, por se për pjesën më të madhe të vitit të kaluar, ka mbetur pa një qeveri funksionale.

“Kosova mban zgjedhje të tjera të parakohshme ndërsa kriza politike vazhdon”, është titulli i Reutersit për votimet në Kosovë. 

Agjencia raporton më tej se zgjedhjet e përsëritura kanë vonuar reformat dhe ardhjen e fondeve shumë të nevojshme nga Bashkimi Evropian.

“Qytetarët e Kosovës dëshirojnë t’i japin fund ngërçit politik, ndërsa kërkojnë paga më të larta dhe çmime më të përballueshme për të përfituar nga rritja ekonomike”, shkruan ndër të tjera agjencia. 

Ndërkohë, agjencia tjetër Associated Press shkruan se votuesit në Kosovë iu drejtuan kutive të votimit të dielën për zgjedhje të parakohshme parlamentare, të tretat brenda më pak se 18 muajsh, në përpjekje për t’i dhënë fund ngërçit politik, siç shkruan “në këtë vend të vogël ballkanik që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe NATO”. 

Sipas AP-së, kriza e zgjatur ka ndikuar negativisht në ekonominë e Kosovës, e cila tashmë është goditur rëndë nga kriza globale e energjisë dhe rritja e çmimeve të karburanteve. 

Agjencia shkruan se “ndërsa aktorët kryesorë politikë fajësuan njëri-tjetrin për krizën, paaftësia e tyre për të arritur një kompromis ka shtuar zhgënjimin mes rreth 2 milionë votuesve të Kosovës, të cilët duan që qeveria të përqendrohet te ekonomia dhe përmirësimi i standardit të jetesës”.

Ndërkohë, mediumi Euronews ka raportuar për zgjedhjet me titullin: “Votuesit e frustruar shkojnë përsëri në qendrat e votimit mes ngërçit politik”. 

Sipas Euronews, vendi më i ri i Evropës është përballur me zhgënjim në rritje të publikut që nga mbajtja e zgjedhjeve në shkurt të vitit 2025.

“Zhgënjimi i publikut në vendin e Ballkanit Perëndimor është rritur për shkak të bllokimit të vazhdueshëm politik. Votimi vjen pas muajsh paralize institucionale. Një parlament thellësisht i ndarë dështoi të zgjedhë një president të ri në prill, duke përkeqësuar krizën e shkaktuar nga zgjedhjet e paqarta në shkurt 2025”, raporton mediumi. /Koha.net

Related Articles