Përsëritet skena tronditëse, Eriksen rrëzohet sërish në fushë – ndërpritet ndeshja Danimarkë – Ukrainë

Përsëritet skena tronditëse, Eriksen rrëzohet sërish në fushë – ndërpritet ndeshja Danimarkë – Ukrainë

Skena tronditëse u panë mbrëmjen e së dielës në ndeshjen miqësore ndërmjet Danimarkës dhe Ukrainës, kur mesfushori danez Christian Eriksen u rrëzua papritur në fushë gjatë pjesës së dytë të takimit.

Momenti dramatik ndodhi në minutën e 65-të, kur 34-vjeçari humbi ekuilibrin dhe mbeti i shtrirë në fushë. Shokët e skuadrës e kuptuan menjëherë seriozitetin e situatës, ndërsa stafi mjekësor hyri me urgjencë për t’i ofruar ndihmën e nevojshme.

Lojtarët danezë formuan një rreth rreth Eriksenit për t’i dhënë privatësi ekipit mjekësor gjatë ndërhyrjes, ndërsa në stadium mbizotëroi heshtja dhe ankthi.

Sipas mediave daneze, atmosfera ishte jashtëzakonisht e rëndë. Disa futbollistë nuk i fshehën emocionet, ndërsa tifozët ndiqnin me shqetësim zhvillimet në fushë.

Pas disa minutash pasigurie, erdhën lajme më pozitive. Federata Daneze e Futbollit (DBU) konfirmoi se Eriksen ishte i vetëdijshëm, lajm që u prit me duartrokitje të gjata nga mijëra tifozët e pranishëm në stadium.

Ndeshja nuk vazhdoi më dhe u ndërpre para përfundimit të saj. Rezultati në ato momente ishte 2-1 në favor të Danimarkës, por futbolli kaloi në plan të dytë përballë shqetësimit për gjendjen e lojtarit.

Eriksen u largua nga stadiumi me ambulancë, i shoqëruar nga bashkëshortja dhe pjesëtarë të ekipit kombëtar, për t’iu nënshtruar ekzaminimeve të mëtejshme në spital.

Ngjarja riktheu menjëherë kujtimet e dhimbshme të Euro 2020, kur Eriksen pësoi arrest kardiak gjatë ndeshjes mes Danimarkës dhe Finlandës. Pas një beteje të gjatë dhe rikuperimi të suksesshëm, ai u rikthye në futbollin profesionist në vitin 2022, duke u bërë një simbol i forcës dhe këmbënguljes në sport. /T

Related Articles