Feyenoordi shkarkon Robin van Persien

Feyenoordi shkarkon Robin van Persien

Robin van Persie nuk është më trajner i Feyenoordit. Klubi holandez ka njoftuar të dielën shkarkimin e 42-vjeçarit, duke i dhënë fund aventurës së tij njëvjeçare e gjysmë në stolin e skuadrës nga Roterdami.

Ish-sulmuesi i njohur i Arsenalit, Manchester Unitedit, Fenerbahçes dhe Holandës largohet pavarësisht se e përfundoi sezonin në vendin e dytë në Eredivisie, duke siguruar kualifikimin në Ligën e Kampionëve për edicionin e ardhshëm. Megjithatë, Feyenoordi mbeti larg garës për titull, të cilin e fitoi PSV.

Drejtori teknik i klubit, Devy Rigaux, falënderoi Van Persien për punën e bërë, por theksoi se pas analizës së sezonit ishte vendosur që skuadra të niste një kapitull të ri.

“Robin van Persie ka dhënë gjithçka për klubin gjatë një viti e gjysmë. Ai meriton vlerësime për mënyrën se si e përfundoi një sezon të vështirë dhe për sigurimin e vendit të dytë në kampionat”, deklaroi Rigaux.

Megjithatë, sipas drejtuesve të klubit, vlerësimi i paraqitjeve dhe i stilit të lojës çoi në përfundimin se Feyenoordi duhet ta nisë sezonin e ardhshëm me një trajner të ri.

“Përfundimi ynë ishte se është më mirë që sezonin e ardhshëm ta nisim me një trajner të ri”, shtoi ai.

Përveç rezultateve në kampionat, edhe paraqitjet në Evropë ndikuan në vendim. Feyenoordi u eliminua nga Fenerbahçe në raundin e fundit kualifikues për Ligën e Kampionëve dhe më pas zhvilloi një sezon zhgënjyes në Ligën e Evropës.

Skuadra holandeze fitoi vetëm dy nga tetë ndeshjet në fazën e grupeve, ndaj Sturm Graz dhe Panathinaikos, ndërsa pësoi gjashtë humbje.

Van Persie konsiderohet një nga sulmuesit më të mëdhenj në historinë e futbollit holandez. Me kombëtaren e Holandës ai zhvilloi mbi 100 ndeshje dhe realizoi 50 gola, duke mbetur një nga figurat më të rëndësishme të futbollit holandez në dekadat e fundit.

Related Articles