Pesë persona janë arrestuar gjatë një operacioni të gjerë policor të koduar me emrin “White Star”, i zhvilluar të martën në disa lokacione të Kosovës.
Sipas një komunikate të përbashkët të Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe Policisë së Kosovës, aksioni është realizuar në kuadër të hetimeve për krim të organizuar dhe është shtrirë në Prishtinë, Pejë, Prizren, Viti dhe Drenas.
Operacioni është zhvilluar nën monitorimin e Prokurorisë Speciale, bazuar në urdhër të Gjykatës Themelore.
Pesë të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit special, nën dyshimin se janë përfshirë në veprat penale të:
- pjesëmarrjes ose organizimit të grupit kriminal të organizuar;
- blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve;
- pastrimit të parave.
Gjatë kontrolleve në lokacionet e ndryshme, autoritetet kanë sekuestruar një numër të konsiderueshëm provash dhe pasurish, përfshirë:
- 6 armë;
- 5 karikatorë;
- 9.67 gramë kokainë;
- 35.18 gramë fara të kanabisit;
- 239 fishekë;
- 25 telefona mobilë;
- 7,595 euro para të gatshme;
- 10 automjete dhe një motoçikletë;
- 10 kompjuterë;
- 13 USB dhe një DVR;
- 16 ora dore.
Sipas institucioneve të drejtësisë, operacioni është mbështetur nga EUROPOL-i dhe autoritetet e Belgjikës, Francës dhe Holandës. Përfaqësues të këtyre institucioneve, së bashku me prokurorin e rastit, kanë monitoruar zhvillimin e aksionit nga afër.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë theksuar se do të vazhdojnë angazhimin e tyre në luftimin e krimit të organizuar, duke ndërmarrë veprime të koordinuara për parandalimin, hetimin dhe ndjekjen penale të personave të përfshirë në aktivitete kriminale.
