Zyrtare: Jose Mourinho, trajneri më i ri i Real Madridit

Zyrtare: Jose Mourinho, trajneri më i ri i Real Madridit

Real Madridi ka konfirmuar zyrtarisht rikthimin e Jose Mourinhos në stolin e skuadrës. Klubi madrilen publikoi të enjten komunikatën zyrtare, duke i dhënë fund spekulimeve që kishin dominuar javët e fundit.

“Bordi i Drejtorëve i Real Madridit i mbledhur sot, të enjten më 11 qershor dhe i kryesuar nga Florentino Pérez, ka vendosur të emërojë Jose Mourinhon trajner të ekipit të parë për tre sezonet e ardhshme, deri më 30 qershor 2029”.

Jose Mourinho do t’i bashkohet Real Madridit më 13 korrik, ditën kur do të nisë faza përgatitore për sezonin e ri”, thuhej në njoftimin e klubit mbretëror.

Ky do të jetë rikthimi i madh i teknikut portugez në “Santiago Bernabeu” pas më shumë se një dekade. Mourinho drejtoi Real Madridin nga viti 2010 deri në vitin 2013, periudhë gjatë së cilës fitoi një titull të La Ligës, një Kupë të Mbretit dhe një Superkupë të Spanjës.

Gjatë mandatit të tij të parë, ai ndërtoi një skuadër konkurruese që i dha fund dominimit të Barcelonës së Pep Guardiolës në futbollin spanjoll.

Sezoni 2011/12 mbetet një nga më të suksesshmit në historinë e klubit, pasi Real Madridi fitoi kampionatin me 100 pikë dhe 121 gola të shënuar.

Rikthimi i Mourinhos vjen pas një periudhe zhgënjyese për madrilenët, të cilët nuk kanë arritur të fitojnë trofe madhorë në dy sezonet e fundit.

Presidenti Florentino Perez e ka konsideruar portugezin si figurën ideale për të rikthyer mentalitetin fitues dhe disiplinën konkurruese brenda skuadrës.

Tashmë vëmendja do të zhvendoset te afati kalimtar i verës, ku pritet që Mourinho të ketë ndikim të madh në ndërtimin e skuadrës për sezonin 2026/27./

Related Articles