Pas Bazelit, edhe Cyrihu po shqyrton zbritjen e tatimeve direkt nga paga

Pas Bazelit, edhe Cyrihu po shqyrton zbritjen e tatimeve direkt nga paga

Sipas modelit të Bazelit, punëdhënësi do të transferojë automatikisht një pjesë të pagës bruto te administrata tatimore si parapagesë e tatimeve.

Pas miratimit të modelit të ri në Bazel, tani edhe kantoni i Cyrihut po shqyrton mundësinë që tatimet të zbriten automatikisht nga paga e punonjësve.

Debati është hapur pasi votuesit në Bazel miratuan me 53.4% të votave një sistem të ri që synon të luftojë borxhet nga tatimet e papaguara.

Sipas modelit të Bazelit, punëdhënësi do të transferojë automatikisht një pjesë të pagës bruto te administrata tatimore si parapagesë e tatimeve.

Për punonjësit që jetojnë në qytetin e Bazelit zbritja është 10%, ndërsa për ata në Riehen dhe Bettingen 5%. Megjithatë, sistemi nuk është i detyrueshëm për punonjësit, të cilët mund të zgjedhin të mos marrin pjesë në të, shkruan blick, transmeton albinfo.ch.

Përkrahësit argumentojnë se kjo masë mund të ulë ndjeshëm numrin e personave që futen në borxhe për shkak të faturave tatimore, duke e bërë pagesën e tatimeve më të lehtë dhe më të planifikueshme gjatë vitit. Sipas të dhënave federale, gati 10% e popullsisë zvicerane has vështirësi në pagesën e tatimeve.

Nga ana tjetër, kundërshtarët paralajmërojnë se sistemi rrit barrën administrative për kompanitë dhe mund të krijojë burokraci shtesë pa e zgjidhur domosdoshmërisht problemin e borxheve. Ata argumentojnë se përgjegjësia për pagesën e tatimeve duhet të mbetet te qytetarët dhe jo te punëdhënësit.

Sipas Blick, suksesi i modelit të Bazelit ka nxitur diskutime edhe në Cyrih, ku politikanë dhe ekspertë po analizojnë nëse një sistem i ngjashëm mund të zbatohet edhe në kantonin më të madh të Zvicrës. Nëse kjo ndodh, mund të shënojë një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën se si mblidhen tatimet në vend.

Related Articles