Një aksident tragjik trafiku i ka marrë jetën një të mituri në rrugën Carralevë–Komoran.
Viktima është një 17-vjeçar, i cili fillimisht kishte mbetur i lënduar rëndë si pasojë e aksidentit, por më pas nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve.
Pamjet e siguruara nga vendi i ngjarjes tregojnë një veturë të shkatërruar nga përplasja, ndërsa qytetarët kanë tentuar t’i ofrojnë ndihmën e parë të riut para mbërritjes së ekipeve emergjente.
Rasti është konfirmuar nga zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Sot rreth orës 09:00, kemi pranuar informatën se në rrugën Carralevë–Komoran ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident ka qenë i përfshirë një automjet”, ka deklaruar Ahmeti.
Ajo ka bërë të ditur se si pasojë e aksidentit, ngasësi i automjetit nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve.
“Si pasojë e aksidentit ngasësi i automjetit nuk ka arritë të përballojë plagët dhe i njëjti ka vdekur. Vdekja e viktimës (mashkull), i mitur, është konstatuar nga ekipi mjekësor në QKUK”, thuhet në konfirmimin e Policisë.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po hetojnë rrethanat që çuan në këtë aksident fatal.
