FSK përmbyll me sukses misionin në Operacionin “Interflex” në Mbretërinë e Bashkuar

FSK përmbyll me sukses misionin në Operacionin “Interflex” në Mbretërinë e Bashkuar

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka përmbyllur me sukses pjesëmarrjen e saj në Operacionin “Interflex” në Mbretërinë e Bashkuar, një iniciativë shumëkombëshe në mbështetje të Ukrainës, ku Kosova ishte e angazhuar që nga fillimi i vitit 2024.

Sipas FSK-së, pjesëtarët e saj kanë dëshmuar “nivel të lartë profesionalizmi, përkushtimi dhe aftësish ushtarake”, ndërsa kontributi i tyre është vlerësuar lart nga partnerët ndërkombëtarë.

“Kontributi i pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës është vlerësuar lart nga partnerët ndërkombëtarë, duke forcuar më tej reputacionin e Kosovës si një kontribuuese e besueshme në operacionet ndërkombëtare të sigurisë dhe në përpjekjet e përbashkëta për paqe e stabilitet”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

Operacioni “Interflex”, i udhëhequr nga Mbretëria e Bashkuar, synon trajnimin dhe përgatitjen e forcave ushtarake ukrainase për rritjen e kapaciteteve operacionale dhe gatishmërisë mbrojtëse. Gjatë angazhimit në këtë mision, FSK mori pjesë me pesë kontingjente të njëpasnjëshme, duke ofruar instruktorë dhe personel të specializuar për trajnimet e ushtarakëve ukrainas.

“Përmes këtij angazhimi, FSK ka dëshmuar ndërveprueshmëri të lartë me forcat partnere dhe aftësi profesionale në mjedise shumëkombëshe”, theksohet në deklaratë.

Përveç pjesëmarrjes në Operacionin “Interflex”, Kosova ka mbështetur Ukrainën edhe përmes pjesëmarrjes në konferenca dhe forume ndërkombëtare, si dhe përmes ndihmave në pajisje dhe donacione për Forcat e Armatosura të Ukrainës.

Në përmbyllje të misionit në Mbretërinë e Bashkuar u organizua një ceremoni zyrtare, ku pjesëtarëve të FSK-së iu ndanë çmime dhe mirënjohje për kontributin dhe angazhimin e tyre.

“Këto vlerësime përfaqësojnë një dëshmi të qartë të profesionalizmit, përkushtimit dhe standardeve të larta që karakterizojnë pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.

FSK vlerëson se këto mirënjohje pasqyrojnë kontributin e saj të vazhdueshëm në forcimin e sigurisë ndërkombëtare, partneritetit me vendet aleate dhe mbështetjen e përpjekjeve për paqe, stabilitet dhe siguri në Evropë dhe më gjerë.

Related Articles