Tragjike në Gjilan: Hyri ta pastronte bunarin, 75-vjeçari humb jetën pasi bie brenda tij

Tragjike në Gjilan: Hyri ta pastronte bunarin, 75-vjeçari humb jetën pasi bie brenda tij

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të hënën në fshatin Dobërçan të Gjilanit, ku një 75-vjeçar ka humbur jetën gjatë pastrimit të një bunari në pronën e një familjeje, raporton Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se viktima është Rexhep Kryeziu (1951), i cili kishte shkuar në shtëpinë e Burhan Kazazit për të pastruar bunarin e ujit të pijshëm.

Sipas hetimeve të para, derisa ndodhej në brendësi të bunarit, i ndjeri dyshohet se ka humbur ekuilibrin dhe ka rënë në ujë. Bunari kishte rreth gjashtë metra thellësi, ndërsa rreth 3.8 metra ishin të mbushura me ujë.

Pas marrjes së njoftimit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, zjarrfikësit, hetuesit rajonalë dhe ekipi i Krim-Teknikës. Zjarrfikësit kanë bërë zbrazjen e bunarit dhe rreth orës 15:10 kanë nxjerrë trupin e pajetë të 75-vjeçarit.

Mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen në vendin e ngjarjes, ndërsa më pas Instituti i Mjekësisë Ligjore ka kryer ekzaminimin fillestar dhe ka tërhequr trupin për obduksion.

Sipas të dhënave fillestare të hetimit, nuk ka dyshime për përfshirjen e ndonjë personi tjetër në këtë ngjarje, ndërsa rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekje”.

Hetimet, në koordinim me Prokurorinë kompetente, do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim për të sqaruar plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike.

Related Articles