Dalin detaje të reja nga vrasja e imamit në Dragash, arrestohet edhe babai i të dyshuarit

Dalin detaje të reja nga vrasja e imamit në Dragash, arrestohet edhe babai i të dyshuarit

Prokuroria Themelore në Prizren ka dhënë detaje të reja lidhur me vrasjen e rëndë që ndodhi në fshatin Zlipotok të komunës së Dragashit, ku viktimë mbeti imami i fshatit.

Sipas Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 29 qershor 2026, rreth orës 23:15, kur Policia e Kosovës është njoftuar për rastin. Viktima dyshohet se është privuar nga jeta me mjet të mprehtë (thikë), ndërsa vdekja e tij është konstatuar në vendin e ngjarjes nga ekipi mjekësor.

Menjëherë pas marrjes së informatës, në vendin e ngjarjes ka dalë prokurorja kujdestare e Departamentit për Krime të Rënda, e cila, në bashkëpunim me Sektorin e Hetimeve Rajonale dhe njësitë tjera të Policisë së Kosovës, ka ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e rastit.

I dyshuari me inicialet B.H., i cili pas kryerjes së veprës ishte larguar nga vendi i ngjarjes, është lokalizuar dhe arrestuar pas një operacioni intensiv të Policisë së Kosovës.

Me vendim të prokurorit të shtetit, B.H. është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Vrasja e rëndë”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, Prokuroria ka bërë të ditur se për 48 orë është ndaluar edhe babai i të dyshuarit, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Mosdhënia e ndihmës”, transmeton Zeri.info.

Ndërkohë, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë.

Prokuroria Themelore në Prizren njofton se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, po vazhdon hetimet intensive për zbardhjen e motiveve dhe rrethanave të plota të kësaj ngjarjeje, ndërsa brenda afatit ligjor do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve. /Zëri

Related Articles