Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK), në kuadër të thirrjeve për vaksinim të qytetarëve për mbrojtje nga COVID-19, ka publikuar disa pyetje dhe përgjigje rreth vaksinimit.
Përmes kësaj IKSHPK-ja ka bërë të ditur rëndësinë e vaksinimit dhe rrezikun nga infektimi me COVID-19.
“Vaksinimi është mënyra më e thjeshtë, më e sigurt dhe më efektive për të mbrojtur njerëzit nga sëmundjet e dëmshme. Vaksinimi është i sigurt dhe efektet anësore nga vaksinat janë të vogla dhe të përkohshme”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.
Ndërkaq për vaksinat kundër COVID-19, IKSHP-ja ka njoftuar se vaksinat kundër COVID-19 janë 95 për qind efikase.
“I vetmi shtet në rajon që ka dhënë vetëm vaksina të miratura nga Agjencia Evropiane dhe Amerikane e Barnave është Kosova. Këto vaksina janë Astra-Zeneca dhe Pfizer. Këto vaksina kanë sigurinë, cilësinë dhe efikasitetin, që e plotësojnë standardin evropian dhe atë amerikan”, thuhet në kuadër të përgjigjeve nga IKSHPK-ja.