Një zjarr ka kapluar një pjesë të malit në Shëngjin ku autoriteteve iu desh të luftonin me flakët gjatë gjithë natës dhe operacioni po vijon ende, sipas një njoftimi të Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë.
Operacioni u mbështet edhe nga ndërhyrja ajrore me helikopterin e Forcave të Armatosura, i cili hodhi uji nga ajri.
“Nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Ministrisë së Mbrojtjes, vijon operacioni për shuarjen e zjarrit në Shëngjin, në mbështetje të Bashkisë Lezhë. Gjatë gjithë natës është punuar pa ndërprerje për izolimin e flakëve, me angazhimin e 7 mjeteve zjarrfikëse nga MZSH Lezhë, Vau i Dejës, Shkodër, Mirditë dhe Porti Shëngjin. Në operacion janë përfshirë gjithashtu efektivë dhe autobotë uji të Forcave të Armatosura, punonjës të Shërbimit Pyjor, të Shërbimeve Publike të Bashkisë Lezhë dhe të Emergjencave Civile të Bashkisë Lezhë. Operacioni po mbështetet edhe nga ndërhyrja ajrore me helikopterin e Forcave të Armatosura. Falë koordinimit të të gjitha strukturave, intensiteti i zjarrit është ulur ndjeshëm dhe puna vijon për izolimin dhe shuarjen e plotë të vatrave aktive”.
Ministria tha se autori i dyshuar i zjarrvënies është identifikuar dhe është vënë përpara përgjegjësisë ligjore nga autoritetet kompetente.
“Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë përgjegjësi maksimale, të respektojnë masat për parandalimin e zjarreve dhe të njoftojnë menjëherë autoritetet për çdo vatër zjarri apo rast të dyshimtë”.
