Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e 250-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, duke theksuar rolin historik të këtij shteti në mbështetjen e të drejtës për vetëvendosje të shqiptarëve.
Kurti ka thënë se Deklarata e Pavarësisë e 4 korrikut 1776 ka rëndësi jo vetëm si ngjarje historike, por edhe për vlerat universale që përfaqëson, si barazia, liria dhe të drejtat e patjetërsueshme të njeriut.
Ai ka përmendur gjithashtu mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për pavarësinë e Kosovës, duke veçuar deklaratën e ish-presidentit George W. Bush në Tiranë më 10 qershor 2007.
“Më pak se një shekull më pas, të njëjtave parime, që Deklarata e Pavarësisë e 4 korrikut 1776 i mbron me aq elokuencë, do t’i apelonte edhe lëvizja jonë për pavarësi. E drejta e popullit të Kosovës për vetëvendosje, që në fillim të shekullit XX ishte sakrifikuar në lojërat gjeopolitike të Fuqive të Mëdha, në fund të po atij shekulli dhe fillimit të atij vijues do të merrte mbështetjen më domethënëse pikërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 10 qershori i vitit 2007, kur George W. Bush deklaroi në Tiranë, “Më mirë më parë sesa më vonë, duhet të thuash këtu i erdhi fundi, Kosova është e pavarur,” bën pjesë te datat më të rëndësishme të historisë sonë më të re shtetformuese. Pra brenda një harku kohor prej gati një shekulli, nga Shqipëria londineze te Kosova e pavarur, betejat shqiptare për vetëvendosje marrin dy herë mbështetje kritike nga kombi amerikan, i cili këtu e 250 vite më parë shpalli themelimin e tij duke u thirrur në të drejtat e patjetërsueshme në jetë, liri dhe kërkim të lumturisë.”, shkroi ai në ‘Facebook’.
Sipas tij, brenda afro një shekulli shqiptarët kanë marrë dy herë mbështetje vendimtare nga Shtetet e Bashkuara në proceset e tyre shtetformuese, fillimisht për ruajtjen e shtetit shqiptar dhe më pas për pavarësinë e Kosovës.
