Policia e Kosovës ka bërë të ditur se nga 8 deri më 12 qershor 2026 ka realizuar Planin Operativ “Ditët e Veprimit të Përbashkët – JAD Global Chain 2026”, në kuadër të aktiviteteve të koordinuara me EUROPOL-in, INTERPOL-in, FRONTEX-in dhe institucione të tjera partnere.
Sipas njoftimit, operacioni është zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore dhe ka përfshirë operacione në rrugë, sheshe e qendra tregtare për identifikimin e fëmijëve në situatë rruge si viktima të mundshme të trafikimit, kontrolle në lokale me muzikë live dhe qendra masazhi, si dhe zbatimin e planit taktik lidhur me eskortën.
Në realizimin e planit kanë qenë të angazhuara edhe njësi të tjera të Policisë së Kosovës, përfshirë Departamentin e Kufirit, DHTN-në, NJSO-në, NJRSH-në dhe zyrtarë nga Drejtoritë Rajonale të Policisë. Në operacion kanë marrë pjesë edhe Inspektorati Qendror i Tregut në kuadër të MINT-it, Inspektorati Qendror i Punës, Administrata Tatimore e Kosovës dhe Qendrat për Punë Sociale.
Gjatë operacionit janë inspektuar gjithsej 59 lokale me muzikë live në të gjithë territorin e Kosovës. Në to janë hasur 420 persona, prej të cilëve 317 femra dhe 109 meshkuj. Sipas Policisë, 186 prej tyre ishin shtetas të Kosovës, ndërsa 234 shtetas të huaj, përfshirë 220 femra nga Shqipëria, nëntë nga Serbia, katër nga Maqedonia e Veriut dhe një nga Bullgaria.
Nga lokalet e kontrolluara, gjashtë rezultuan të mbyllura, ndërsa nëntë të tjera u mbyllën për shkelje administrative nga inspektorët e MINT-it.
Po ashtu, janë kontrolluar 62 qendra masazhi, ku janë hasur 104 persona, prej të cilëve 89 femra dhe 15 meshkuj. Sipas Policisë, 60 ishin shtetas të Kosovës, ndërsa 45 shtetas të huaj, përfshirë 23 femra nga Shqipëria, 17 nga Tajlanda, tre nga Filipinet dhe një nga Malavia.
Nga qendrat e masazhit të inspektuara, 10 janë mbyllur për shkelje administrative.
Policia ka bërë të ditur se gjatë realizimit të këtij plani nuk është identifikuar asnjë rast i veprës penale “Trafikim me njerëz”.
Megjithatë, janë evidentuar shtatë raste ku janë arrestuar shtatë gra, prej tyre katër shtetase të Shqipërisë, një shtetase e Malit të Zi dhe dy shtetase të Kosovës, të cilat janë hasur duke kërkuar lëmoshë në rrugë dhe sheshe së bashku me fëmijët e tyre.
Në këto raste janë përfshirë gjithsej 13 fëmijë, të cilët, pas trajtimit në bashkëpunim me Qendrat për Punë Sociale, janë bërë pjesë e rasteve të iniciuara për dyshimin e kryerjes së veprës penale “Keqtrajtim apo braktisje e fëmijës”.
Gjatë operacionit janë evidentuar edhe katër raste të kundërvajtjes “Marrje me prostitucion” në kuadër të eskortës, ku janë arrestuar tetë persona, përkatësisht katër meshkuj shtetas të Kosovës dhe katër femra, prej tyre dy shtetase të Brazilit dhe dy shtetase të Kolumbisë.
Policia thekson se të gjitha gratë e hasura duke punuar në lokalet me muzikë live, qendrat e masazhit dhe në eskortë janë intervistuar dhe u është dhënë mundësia të deklarojnë nëse ishin viktima të ndonjë forme të shfrytëzimit apo trafikimit, por nuk është identifikuar asnjë rast i tillë.
