Irani ndahet mes diplomacisë dhe hakmarrjes ndaj SHBA-së

Irani ndahet mes diplomacisë dhe hakmarrjes ndaj SHBA-së

Përplasjet brenda udhëheqjes iraniane lidhur me mënyrën e trajtimit të krizës me Shtetet e Bashkuara po thellohen, ndërsa kryetari i Parlamentit dhe kryenegociatori iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, ka dalë në mbështetje të vazhdimit të rrugës diplomatike.

Në një intervistë për televizionin shtetëror iranian, Ghalibaf theksoi se negociatat nuk përbëjnë një shenjë dobësie apo kompromisi, por janë pjesë e strategjisë për mbrojtjen e interesave kombëtare.

“Negociatat nuk janë ekuivalente me kompromisin. Së bashku me forcën ushtarake, ato janë pjesë e rezistencës strategjike dhe mbrojtjes së interesave kombëtare”, deklaroi ai.

Sipas Ghalibafit, diplomacia dhe fuqia ushtarake duhet të funksionojnë paralelisht, duke paralajmëruar se mbështetja vetëm te njëra prej tyre do të ishte një gabim strategjik.

Deklaratat e tij vijnë mes kritikave të forta nga përfaqësuesit e linjës së ashpër në Iran, të cilët e akuzojnë atë dhe ministrin e Jashtëm Abbas Araqchi për “tradhti”, pas pranimit të armëpushimit të qershorit me Shtetet e Bashkuara.

Ndërkohë, pas funeralit të ish-udhëheqësit suprem Ajatollah Ali Khamenei, zyrtarë dhe politikanë të linjës së ashpër kanë intensifikuar thirrjet për hakmarrje. Djali i tij, Mojtaba Khamenei, kërkoi një përgjigje të ashpër ndaj autorëve të vrasjes së të atit, ndërsa politikani Saeed Jalili deklaroi se hakmarrja duhet të ketë përparësi ndaj çdo diskutimi ekonomik apo diplomatik.

Përçarjet janë reflektuar edhe në mediat iraniane. Gazeta shtetërore Iran publikoi deklarata që mbështesin një qasje të balancuar, ndërsa gazeta Kayhan, e afërt me linjën e ashpër, kërkoi braktisjen e çdo marrëveshjeje me SHBA-në dhe forcimin e kapaciteteve ushtarake, ekonomike dhe bërthamore të vendit.

Megjithëse armëpushimi i qershorit është zbehur pas rifillimit të sulmeve, Ghalibaf nuk përjashtoi mundësinë e vazhdimit të dialogut, por theksoi se Irani nuk do të respektojë një marrëveshje nga e cila nuk përfiton.

Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar përshkallëzim të sulmeve nëse Irani nuk hap Ngushticën e Hormuzit, ndërsa Teherani ka paralajmëruar zgjerimin e operacioneve ushtarake në Lindjen e Mesme.

Related Articles