Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtarë “Sharri”, ka njoftuar se për shkak të erërave të forta dhe temperaturave të larta gjatë ditës së diele, është riaktivizuar një zjarr në zonën strikte të Oshlakut në PK “Sharr” në lokacionin e njëjtë ku ishin paraqitur zjarret e mëhershme.
Pas intervenimit të shpejtë të punonjësve të DAPK Sharri zjarri është lokalizuar, ndërsa me rastin është informuar edhe Policia e Kosovës dhe organet tjera.
Ndërsa sot që nga orët e hershme të mëngjesit, zjarrfikësit dhe stafi i DAPK Sharri janë duke vazhduar përpjekjet dhe angazhimin e tyre për lokalizimin e zjarrit në tërësi.
DAPK shpreson që me stabilizimin e erërave zjarri do të vihet në kontrollë, në të kundërtën do të kërkohet ndihmë nga FSK dhe KFOR-i për menaxhimin e situatës.
Po ashtu sipas informatave që vijnë nga Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtarë “Bjeshkët e Nemuna”, ende ka vatra aktive të zjarrit edhe në Shtupeq të Madh.
Me këtë rast AMMK, ju bënë thirrje të gjitha grupeve që të kontribuojnë në tejkalimin e kësaj situate qoftë duke ju bashkuar ekipeve për shuarjen e zjarreve, apo duke informuar institucionet relevante për ndonjë vatër të re të zjarrit në territorin e Parqeve Kombëtare.
Po ashtu apelojmë tek të gjithë qytetarët dhe posaçërisht tek vizitorët, banorët e zonave të parqeve, shfrytëzuesit e pronave, dhe qytetarët për kujdes të shtuar.
Numrat emergjentë të disa institucioneve me rëndësi që duhet ti keni parasysh janë: DAPK “Sharri” 044263188, 044257868, 045308164; DAPK “Bjeshkët e Nemuna” 048 222 718, Zjarrfikësit 193, Policia e Kosovës 038/192, mobil 192, Qendra e thirrjeve në kuadër të Policisë së Kosovës 112, Ndihma e shpejtë 194 dhe 038/ 500 094.