Aksident me fatalitet në Vragoli, vetura godet për vdekje këmbësorin – lëndohen shoferi dhe pasagjeri

Aksident me fatalitet në Vragoli, vetura godet për vdekje këmbësorin – lëndohen shoferi dhe pasagjeri

Një aksident i rëndë trafiku me fatalitet ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të sotëm në rrugën nacionale Prishtinë–Pejë, në fshatin Vragoli.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Luljeta Mehmeti.

“Sot, më datën 24.07.2026, rreth orës 03:00 të mëngjesit, në rrugën nacionale Prishtinë–Pejë, në fshatin Vragoli, ka ndodhur një aksident trafiku me fatalitet, ku një veturë me drejtues të dyshuarin mashkull kosovar ka goditur një person, këmbësor të gjinisë mashkullore”, deklaroi Mehmeti.

Ajo bëri të ditur se në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë relevante policore dhe ekipet mjekësore, të cilat kanë konfirmuar vdekjen e viktimës.

“Në vendngjarje kanë dalë të gjitha njësitë relevante, përfshirë ato mjekësore, të cilat kanë konfirmuar vdekjen e viktimës”, tha ajo.

Si pasojë e aksidentit, lëndime kanë marrë edhe drejtuesi i veturës dhe një pasagjer.

“Si pasojë e aksidentit, lëndime po ashtu kanë marrë i dyshuari, vozitësi i veturës, si dhe një pasagjer”, deklaroi Mehmeti.

Për rastin është njoftuar prokurori kompetent, ndërsa hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit janë duke vazhduar.

“Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori kompetent, ndërsa rasti është duke u hetuar nga njësitë relevante policore. Trupi i pajetë është dërguar për obduksion”, përfundoi Mehmeti.

Related Articles