Brenda vetëm pak ditësh, rrugët në Kosovë dhe në rajon janë shndërruar në skena tragjedish. Tetë persona kanë humbur jetën në një varg aksidentesh trafiku, ndërsa dhjetëra të tjerë kanë mbetur të lënduar.
Bilanci i rëndë ka rikthyer në vëmendje gjendjen e sigurisë rrugore dhe ka ngritur pyetjen nëse masat aktuale po tregohen të mjaftueshme për parandalimin e aksidenteve me pasoja fatale.
Një nga rastet më të rënda është regjistruar pranë kufirit me Maqedoninë e Veriut, ku tre qytetarë të Kosovës janë gjetur pa shenja jete brenda një veture të përmbysur.
Aksidente me fatalitet janë regjistruar gjithashtu në Istog, Komoran, Suharekë dhe në magjistralen Mitrovicë–Prishtinë, duke e çuar në tetë numrin e viktimave brenda një periudhe të shkurtër.
Rastet e njëpasnjëshme kanë vënë sërish në pikëpyetje sigurinë në rrugët e vendit, respektimin e rregullave të komunikacionit dhe masat që po ndërmerren nga institucionet për parandalimin e tragjedive.
Të dhënat e Policisë së Kosovës tregojnë se, ndonëse numri i përgjithshëm i aksidenteve ka shënuar një rënie të lehtë gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, pasojat e tyre kanë qenë më të rënda.
Numri i aksidenteve me fatalitet dhe i viktimave ka shënuar rritje, duke dëshmuar se rënia e numrit të përgjithshëm të aksidenteve nuk është përkthyer edhe në më shumë siguri për pjesëmarrësit në komunikacion.
Bilanci i ditëve të fundit është një tjetër sinjal alarmi për institucionet dhe për të gjithë drejtuesit e automjeteve. Pa veprime konkrete dhe pa rritje të përgjegjësisë në trafik, rrugët e Kosovës rrezikojnë të vazhdojnë të marrin jetë.
