Shqipe Pantina: Përparim Rama duhet të jetë kryetari i ri i LDK-së, ka mentalitet fituesi

Shqipe Pantina: Përparim Rama duhet të jetë kryetari i ri i LDK-së, ka mentalitet fituesi

Kur po hyjmë në 24 orët e fundit para Kuvendit të jashtëzakonshëm të LDK-së, mbështetësit e shkarkimit të Lumir Abdixhikut duket se tashmë i kanë të qarta synimet e tyre për lidershipin e ardhshëm të partisë.

Të mërkurën, qëndrimin e saj e ka bërë publik delegatja Shqipe Pantina, e cila për gazetën online Reporteri.net ka zbuluar edhe emrin që ajo e sheh në krye të LDK-së pas së enjtes.

“Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, është njëri prej tyre dhe, pa dyshim, do të ishte një kandidat shumë serioz”, tha Shqipe Pantina, e cila paraprakisht thekson se “janë përfolur disa emra si kandidatë të mundshëm për drejtimin e LDK-së dhe unë i konsideroj të gjithë kandidatë seriozë”.

Te Rama, Pantina sheh një mentalitet fituesi. Ajo shprehet e bindur se, me lidershipin e tij, kryetari i Prishtinës mund ta rikthejë LDK-në në një parti fituese edhe në nivel qendror, përballë Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

“Ai [Përparim Rama] ka dëshmuar se ka potencial fitues, duke e rikthyer LDK-në si forcë fituese në kryeqytet. Për këtë arsye, besoj se ai ka kapacitetin dhe vizionin për ta rikthyer LDK-në në pozitën e partisë fituese edhe në nivel qendror”, tha Pantina për Reporteri.net.

“Nesër, Kuvendi i LDK-së do të vendosë për rrugëtimin që duhet të ndjekë partia në vitet e ardhshme. Pyetja kryesore është nëse LDK-ja do të pajtohet me pozitën aktuale, pra me vendin e tretë, duke pritur më pas ftesa për t’u bërë pjesë e qeverisë, apo do të zgjedhë një kurs të ri që synon ta shndërrojë atë në një parti fituese, e cila merr përgjegjësinë për të udhëhequr vendin dhe për t’i dhënë drejtim zhvillimit të Kosovës. Unë besoj se anëtarësia e LDK-së, e përfaqësuar në Kuvend, do të vendosë për një LDK fituese. Ne duhet të zgjedhim një lidership që garanton rikthimin e partisë në pushtet dhe që është në gjendje të përballet me një qeverisje që, sipas bindjes sime, po shfaq tendenca autokratike”, shton Pantina.

Kuvendi i jashtëzakonshëm i LDK-së pritet të mbahet të enjten, në orën 18:00, në një sallë në periferi të kryeqytetit. Datën dhe orën e këtij Kuvendi i caktoi kryetari Lumir Abdixhiku, ndërsa mbledhja u thirr përmes nënshkrimeve të rreth 150 delegatëve të LDK-së, të cilët kërkojnë shkarkimin e tij nga posti i kryetarit të partisë.

Sipas tyre, kjo kërkesë vjen si pasojë e rezultateve të dobëta të LDK-së në tre palë zgjedhjet e fundit nacionale.

Lumir Abdixhiku, në janar të këtij viti, i mbijetoi një votimi në Kuvendin e jashtëzakonshëm të partisë për shkarkimin e tij nga posti i kryetarit të LDK-së. Ai votim ishte iniciuar nga vetë Abdixhiku, pas humbjes së thellë të partisë në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025.

Related Articles