Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se negociatat mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit mund të rifillojnë gjatë ditës së sotme, pasi, sipas tij, anuloi një “sulm masiv” ndaj Iranit pas kërkesave të aleatëve rajonalë dhe vetë Teheranit.
Sipas Trumpit, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari dhe Irani kanë kërkuar shmangien e përshkallëzimit të konfliktit. Megjithatë, Ministria e Jashtme e Iranit ka mohuar se aktualisht po zhvillon negociata me SHBA-në.
Ndërkohë, zhvillimet kanë ndikuar edhe në tregjet ndërkombëtare, ku çmimet globale të naftës kanë shënuar rënie pas deklaratës së Trumpit për anulimin e sulmit dhe mundësinë e rikthimit të dialogut.
Në të njëjtën kohë, Irani po zhvillon bisedime me Omanin për krijimin e një korridori të përkohshëm dhe të sigurt për anijet që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët detare më të rëndësishme për transportin e naftës në botë.
Sipas burimeve të transportit detar, deri në pesë milionë fuçi naftë bruto vazhdojnë të kalojnë çdo ditë përmes kësaj ngushtice, pavarësisht sulmeve sporadike me dronë ndaj anijeve në zonë.
