Instituti GAP ka vlerësuar se në vitin 2025 ka pasur rritje të nivelit të transparencës buxhetore të komunave krahasuar me vinin 2024.
Sipas raportit “Indeksi i Transparencës Buxhetore të Komunave 2025”, i cili është publikuar të martën, mesatarja e pikëve të Indeksit të Transparencës Buxhetore ka arritur në 64.5 pikë, krahasuar me 61 pikë në vitin 2024.
Ky raport tregon thuhet se një përparim të rëndësishëm në transparencën buxhetore në nivel vendi, por thekson nevojën për standardizim të formateve të publikimit dhe për forcim të mekanizmave të qëndrueshëm të llogaridhënies në të gjitha komunat.
“Gjatë këtij viti, 10 komuna kanë arritur rezultatin maksimal prej 100 pikësh, ndërsa gjysma e komunave, përkatësisht 19 nga 38, kanë arritur së paku 89.5 pikë, duke treguar një rritje të nivelit të transparencës në pjesën më të madhe të komunave. Në anën tjetër, gjashtë komuna, respektivisht Kllokoti, Leposaviqi, Parteshi, Shtërpca, Zubin-Potoku dhe Zveçani, nuk kanë arritur të grumbullojnë asnjë pikë”, thuhet në njoftimin e Institutit GAP.
Sipas raportit gjatë vitit 2025, janë publikuar gjithsej 240 dokumente buxhetore, duke përfshirë raporte financiare dhe dokumente mbështetëse të politikave buxhetore, si është edhe rregullorja për ndarjen e subvencioneve.
Dokumentet më të publikuara thuhet se ishin ato të raportimit financiar të buxhetit, me gjithsej 133 dokumente të publikuara.
“Gjatë procesit të planifikimit të buxhetit për vitin 2026, janë evidentuar 119 dëgjime buxhetore të mbajtura nga komunat. Nga 38 komuna, 28 kanë organizuar së paku katër dëgjime buxhetore me qytetarët, një komunë ka mbajtur tri dëgjime, një tjetër dy dëgjime, ndërsa një komunë ka mbajtur vetëm një dëgjim buxhetor”, thuhet në njoftim.
Krahasuar me vitin paraprak, thuhet se progresin më të madh e kanë shënuar komunat si Obiliqi, me një ngritje prej 60 pikësh, Ferizaj me në ngritje prej 52.5 pikësh, dhe Gjilani me 43.5 pikë më shumë. Në anën tjetër, rënie të ndjeshme kanë shënuar komunat si Vitia (-35 pikë), Mitrovica e Veriut (-29 pikë) dhe Lipjani (-15 pikë).
Raporti vlerëson nivelin e transparencës buxhetore në 38 komunat e Kosovës përmes një metodologjie të standardizuar.

