Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar një kusht të ri në negociatat me Iranin, duke kërkuar kompensim nga Teherani për njerëzit që, sipas tij, janë vrarë apo plagosur nga sulmet iraniane.
Deklarata e Trumpit vjen pasi Irani gjatë fundjavës kërkoi që SHBA-ja të kompensojë dëmet e shkaktuara, duke e lidhur këtë kërkesë me rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.
Trump i ka bërë këto deklarata përmes një postimi në rrjetin social Truth, ku tha se kërkesa e Iranit për kompensim është një “ide interesante”, pasi edhe SHBA-ja, sipas tij, do të kërkojë kompensim nga Teherani.
“Shoh që Përfaqësuesit e Republikës Islamike të Iranit po kërkojnë kompensim për dëmin e shkaktuar gjatë Konfliktit Ushtarak pesëmujor të fundit, i cili nisi sepse ata nuk do të kenë armë bërthamore. Kjo nuk u përmend kurrë në asnjë nga negociatat apo takimet tona”, ka shkruar Trump.
Ai shtoi se tashmë ka kërkuar që në negociatat e ardhshme të përfshihet edhe kompensimi për personat e vrarë dhe të plagosur nga Irani në konflikte të ndryshme.
Trump përmendi edhe familjet e viktimave të sulmit ndaj USS Cole, si dhe mijëra persona të tjerë të vrarë në luftime, duke iu referuar edhe periudhës kur operacionet iraniane drejtoheshin nga gjenerali Qasem Soleimani.
Presidenti amerikan tha gjithashtu se kompensimi duhet t’u paguhet familjeve të qindra mijëra protestuesve të pafajshëm që, sipas tij, janë vrarë nga Irani gjatë 50 viteve të fundit. Ai përmendi edhe shifrën prej 52 mijë personash që, sipas tij, janë vrarë gjatë pesë muajve të fundit.
“I kam udhëzuar përfaqësuesit e mi që ta përfshijnë këtë në çdo negociatë të ardhshme. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje!”, ka shkruar Trump.
