Sot varrosen vëllezërit që humbën jetën në aksidentin tragjik në Surkish të Podujevës

Sot varrosen vëllezërit që humbën jetën në aksidentin tragjik në Surkish të Podujevës

Sot do t’i jepet lamtumira e fundit vëllezërve Hajdar dhe Bujar Matarova, të cilët humbën jetën mbrëmë në aksidentin e rëndë të trafikut në fshatin Surkish të Podujevës.

Sipas njoftimit mortor të familjes, varrimi i dy vëllezërve do të bëhet sot, më 17 gusht, në ora 19:00, në varrezat e fshatit Dumnicë, te “Lisi i Shegës”.

Hajdar Matarova, i lindur më 2 mars 1991, dhe Bujar Matarova, i lindur më 5 nëntor 1996, humbën jetën pas përplasjes së rëndë mes një Volkswagen Golf me targa gjermane dhe një BMW-je.

Aksidenti ndodhi më 16 gusht, rreth orës 22:30, në afërsi të marketit “Hana Center” në Surkish.

Dy vëllezërit ndodheshin në Golf dhe, si pasojë e lëndimeve të rënda, humbën jetën.

Sinjali ka mësuar se drejtuesi i BMW-së është Getoar Ajvazi, 31 vjeç. Ai ka pësuar lëndime trupore dhe, pas trajtimit mjekësor, me urdhër të Prokurorit kujdestar është ndaluar për 48 orë.

Në vendin e ngjarjes kishte dalë edhe Prokurori i Shtetit, ndërsa Njësia e Hetimeve të Trafikut është autorizuar të hetojë rrethanat e aksidentit.

Trupat e pajetë të viktimave janë tërhequr nga Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe janë dërguar për obduksion.

Shkaku i aksidentit ende nuk është përcaktuar dhe mbetet objekt i hetimeve.

Related Articles