Gjykata e dënon me një vit e tre muaj burgim, e sulmoi nënën dhe shkeli urdhrin mbrojtës në Gjakovë

Gjykata e dënon me një vit e tre muaj burgim, e sulmoi nënën dhe shkeli urdhrin mbrojtës në Gjakovë

Gjykata Themelore në Gjakovë – Departamenti i Përgjithshëm e ka shpallur fajtor M.D. për tri vepra penale: “Dhuna në familje”, “Mospërfillja e gjykatës” dhe “Lëndimi i lehtë trupor”.

Për këto vepra, gjykata i ka shqiptuar një dënim unik prej një viti e tre muaj burgim dhe 500 euro gjobë.

Sipas aktgjykimit, M.D. ka ushtruar dhunë ndaj nënës së tij në shtëpinë e tyre në fshatin Novosellë e Epërme të Gjakovës, duke mos respektuar edhe urdhrin për mbrojtje të caktuar më herët.

Rasti ka kulmuar më 17 shkurt 2026, kur pas një konflikti, i pandehuri dyshohet se e ka goditur nënën e tij me shuplaka dhe e ka shtyrë, duke bërë që ajo të rrëzohej mbi tavolinë dhe të lëndonte dorën e majtë.

Sipas gjykatës, kur e dëmtuara kishte kërkuar ndihmë për t’u ngritur, për shkak të moshës dhe problemeve me gjunjë, M.D. e kishte goditur me shkelm në trup.

Më pas, ai kishte marrë një hekur që përdoret për ndezjen e prushit dhe e kishte kanosur me fjalët: “Të ka ardhur momenti i fundit.”

Si pasojë e dhunës, nëna e tij kishte pësuar lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin.

Në dënimin me burgim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, duke filluar nga 17 shkurti 2026.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.

Related Articles