Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë thirrje për një marrëveshje të gjerë politike ndërmjet pozitës dhe opozitës, në intervistën e tij të fundit për “Debat Plus” para shpalljes së aktgjykimit në Hagë.
Thaçi ka kërkuar që partitë politike të ulen në një tryezë dhe të dakordohen për çështje strategjike, përfshirë sigurinë nacionale, reformat demokratike dhe zgjedhore, politikën e jashtme, marrëveshjet ndërkombëtare dhe investimet në mbrojtje.
Ai ka përmendur gjithashtu integrimin e Kosovës në NATO dhe BE, raportet me SHBA-në dhe Shqipërinë, si dhe dialogun me Serbinë.
“Mendoj se politika kosovare, pozitë dhe opozitë, duhet të ulet në një tryezë, të diskutojë dhe të pajtohet rreth disa zotimeve të përbashkëta: sigurisë nacionale, reformave demokratike, reformës elektorale (zgjedhja e presidentit drejtpërdrejt nga populli, si mundësi për evitimin e krizave institucionale), politikës së jashtme, marrëveshjeve ndërkombëtare, investimeve në mbrojtje, integrimit në NATO dhe BE, raporteve speciale me SHBA-në, pastaj me Shqipërinë dhe eventualisht dialogut me Serbinë, etj”, ka thënë Thaçi.
