Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe 12 të tjerë pritet të dalin sot para gjykatës nën akuzat se në qershor të vitit 2013 kishin hedhur gurë, ngjyrë, sfera të qelqit, shishe, mjete piroteknike në drejtim të pjesëtarëve të Policisë ku ishin lënduar lehtë katër policë.
Këto veprime, të pandehurit i kishin bërë për të kundërshtuar marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.
Në aktakuzën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e ngritur në mars të vitit 2014, rezulton se të akuzuar për këtë vepër penale krahas ministri Sveçla janë edhe Dardan Molliqaj, Arsim Maqastena, Pajtim Havolli, Agron Kabashi, Egzon Azemi, Pajtim Demaj, Frashër Krasniqi, Nol Nushi, Bekim Shkodra, Afrim Hoxha, Sami Avdiu dhe Besnik Qelaj.
Ata po akuzohen se në protestën e organizuar më 27 qershor 2013, kundër ratifikimit të marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, kanë hedhur gurë, ngjyrë, sfera qelqi, shishe e mjete piroteknike kundrejt disa zyrtarëve policorë, ku si pasojë lëndime të lehta kanë pësuar katër policë dhe janë dëmtuar katër vetura zyrtare.
I akuzuari Bekim Shkodra po akuzohet edhe për veprën penale të sulmit ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.
Sipas aktakuzës së ngritur më 14 mars 2014, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Dardan Molliqaj, Arsim Maqastena, Pajtim Havolli, Agron Kabashi, Egzon Azemi, Pajtim Demaj, Xhelal Sveçla, Frashër Krasniqi, Nol Nushi, Bekim Shkodra, Afrim Hoxha, Sami Avdiu dhe Besnik Qelaj po akuzohen se më 27 qershor 2013 në rrugën “Nëna Terezë” në Prishtinë, gjatë protestës me qëllim të dëmtimit të personave zyrtarë-pjesëtarëve të Policisë së Kosovës kanë kryer veprime të dhunshme huligane.
Gjithnjë sipas kësaj aktakuze, Sveçla dhe të akuzuarit e tjerë ngarkohen se gjatë kësaj proteste kanë hedhur gurë, ngjyrë, sfera të qelqit, shishe, mjete piroteknike në drejtim të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës ku si pasojë e këtyre veprimeve lëndime të lehta trupore kanë pësuar policët-të dëmtuarit Rifat Geci, Halil Syla, Agim Xheli dhe Bashkim Hyseni.
Sipas prokurorisë, gjatë kësaj proteste janë shkaktuar edhe dëme materiale ku janë dëmtuar uniformat dhe pajisjet zyrtare të zyrtarëve policorë gjatë ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike e po ashtu i kanë dëmtuar dy vetura, pronë e Qeverisë së Kosovës dhe dy vetura pronë të Policisë së Kosovës, duke shkaktuar kështu pasoja të rënda.
Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit se secili veç e veç ka kryer veprën penale “pjesëmarrja në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizmi” nga neni 412 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo për të cilën dënimi parashihet me dënimi me gjobë prej dyqind (200) deri dhjetë mijë (10.000) Euro për huliganizëm me pasoja të vogla ose me burgim deri në pesë (5) vjet burgim për huliganizëm me pasoja të rënda.
Ndërsa dispozitivi i dytë i kësaj aktakuze, Bekim Shkodrën e ngarkon edhe për veprën penale të “sulmit ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare” nga neni 410 paragrafi 2 të KPRK-së, vepër kjo për të cilën kryesi dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.