Banorët e fshatit Zhur të Prizrenit kanë ngritur shqetësimin për mungesën dhe reduktimet e shpeshta të ujit të pijshëm, veçanërisht gjatë ditëve të fundit me temperatura të larta.
Përmes një ankese të dërguarnjë grup banorësh, kanë thënë se, pavarësisht se i paguajnë rregullisht faturat e ujit, furnizimi shpesh ndërpritet pa një njoftim të qartë për arsyet dhe kohëzgjatjen e reduktimeve.
Sipas tyre, situata është veçanërisht shqetësuese gjatë temperaturave mbi 35 gradë Celsius, kur uji i pijshëm konsiderohet nevojë bazë për familjet.
Banorët kanë ngritur pikëpyetje edhe për menaxhimin e sistemit të ujësjellësit, duke theksuar se në këtë zonë është bërë një investim prej rreth 3 milionë eurosh, por problemet me furnizimin vazhdojnë.
Ata kërkojnë nga institucionet dhe ndërmarrja përgjegjëse një sqarim zyrtar për arsyet e reduktimeve, publikimin e një orari të furnizimit nëse ndërprerjet janë të pashmangshme, si dhe masa për sigurimin e furnizimit të rregullt.
Po ashtu, banorët kërkojnë transparencë lidhur me menaxhimin e investimit në sistemin e ujësjellësit dhe komunikim më të mirë me qytetarët.
“Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë sesa shërbimin për të cilin paguajmë dhe të drejtën elementare për të pasur ujë të pijshëm në shtëpitë tona”, thuhet në ankesën e banorëve.
