Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës është hapur zyrtarisht Njësia e Përbashkët e Kontrollit (Airport Control Unit – ACU), strukturë e përbashkët e Doganës së Kosovës dhe Policisë së Kosovës.
Në njoftimin zyrtar thuhet se njësia synon forcimin e kontrollit të udhëtarëve dhe ngarkesave, si dhe rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional në luftën kundër krimit të organizuar, trafikimit të paligjshëm dhe veprimtarive të tjera kriminale.
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, përfaqësuesi i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, përfaqësues të UNODC-së dhe kreu i Bashkëpunimit të Bashkimit Evropian në Kosovë, Hubert Perr.
Gjatë ceremonisë u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve për rritjen e sigurisë dhe efikasitetit në kontrollin kufitar.
“Njësia e Përbashkët e Kontrollit krijon mundësi për një koordinim më të drejtpërdrejtë, shkëmbim më efikas të informacionit dhe ndërmarrjen e veprimeve të përbashkëta në kontrollin e pasagjerëve dhe ngarkesave në aeroport”, u tha gjatë ceremonisë.
Njësia është themeluar në kuadër të Veprimit të Përbashkët BE–UNODC për promovimin e sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë përmes masave të synuara të kontrollit kufitar në portet dhe aeroportet e Evropës Juglindore – Faza II.
“Projekti synon forcimin e kapaciteteve të autoriteteve të Ballkanit Perëndimor për parandalimin dhe adresimin e krimit të organizuar, trafikimit të paligjshëm dhe terrorizmit përmes përgjigjeve të koordinuara të institucioneve të zbatimit të ligjit në kufi”, u theksua në njoftim.
Sipas institucioneve, ACU Prishtina do të jetë pjesë e rrjetit rajonal të njësive ndërinstitucionale në Evropën Juglindore, duke mundësuar shkëmbimin e informacionit dhe inteligjencës, operacione të përbashkëta dhe shkëmbim të përvojave me njësitë homologe në rajon.
“Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës mbeten të përkushtuara për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rritjen e kapaciteteve të kontrollit kufitar, në funksion të sigurisë së qytetarëve dhe mbrojtjes së kufijve të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.
