Kreu i Aleancës, Ardian Gjini, ka marrë fjalën në Marshin për Liri që po zhvillohet në Prishtinë, në mbështetje të katërshes së UÇK-së.
Para një numri të madh qytetarësh të mbledhur në këtë marsh, Gjini tha se prania e tyre sot është një mesazh për gjithë botën, për miqtë që e ndihmuan Kosovën në vitin 1999, por edhe për kundërshtarët e saj.
“Kosovë, gjithë këta njerëz sot i flasin gjithë botës. Po i flasim edhe njëri-tjetrit. I flasim miqve që na kanë dëgjuar në vitin 1999, por po u flasim edhe armiqve. Sot armiqve po u flet populli i lirë i Kosovës. Gjithë ju që jeni këtu – LIRI!”, tha Gjini, teksa turma brohoriti “UÇK, UÇK, UÇK”.
Gjini më pas foli për luftën e UÇK-së dhe katër ish-krerët e saj që po përballen me proces gjyqësor në Hagë, raporton Klankosova.tv.
“Gjithkujt mundemi me ju thanë ndryshe, do t’i duam, do s’i duam, por diçka e kuptojnë të gjithë njëjtë, a e dini kundër kujt kanë luftuar këta? A e dini kundër kujt ka luftuar UÇK-ja? Kundër kujt kanë luftuar katër burra që sot s’janë të lirë, por kanë me qenë të lirë, sepse ne jemi të lirë?”, u shpreh ai.
Sipas Gjinit, UÇK-ja kishte luftuar kundër forcave që kishin kryer vrasje dhe dhunë ndaj popullatës civile shqiptare.
“Kanë luftuar kundër atyre që i kanë mbushur kamionët frigoriferë me trupat e bashkëqytetarëve tanë, shqiptarëve, grave, vajzave të reja, pleqve e grave. Kanë luftuar kundër atyre që kanë dhunuar me mijëra gra. Kanë luftuar kundër atyre që më 14 dhjetor 1998 i kanë vrarë fëmijët e vet, për të na akuzuar neve se i kemi vrarë fëmijët. Kundër atyre kanë luftuar ata njerëz, dhe shumë prej jush që jeni sot këtu”, deklaroi Gjini./
