Platforma “Liria ka emër” ka nisur një peticion qytetar pas vendimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Përmes këtij peticioni, janë paraqitur disa kërkesa që lidhen me procesin gjyqësor dhe të drejtat e të akuzuarve dhe viktimave.
Peticioni shpreh mbështetjen për një proces të drejtë, transparent dhe të bazuar në prova. Po ashtu, kërkohet që vendimet gjyqësore të shqyrtohen përmes të gjitha mjeteve ligjore që janë në dispozicion.
Nënshkruesit kërkojnë në mënyrë të qetë dhe të ligjshme:
- Shqyrtim të plotë të provave;
- Respektim të standardeve të gjykimit të drejtë;
- Transparencë rreth procesit;
- Mundësi të plota për ankim dhe përdorim të mjeteve juridike;
- Vlerësim individual të përgjegjësisë, bazuar në prova;
- Respektim të të drejtave themelore të të akuzuarve;
- Respektim të të drejtave dhe dinjitetit të viktimave.
Në peticion theksohet gjithashtu se nënshkrimi është shprehje e mbështetjes personale për kërkesat e paraqitura dhe nuk nënkupton konstatim ligjor për fajësinë apo pafajësinë e ndonjë personi.
“Ky peticion nuk inkurajon kërcënime, ngacmim, dhunë apo sulme ndaj gjyqtarëve, prokurorëve, viktimave, dëshmitarëve, institucioneve apo grupeve politike”, thuhet në tekstin e peticionit.
