Avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Luka Mishetiq, ka reaguar lidhur me çështjen e paanshmërisë së Dhomave të Specializuara të Kosovës në rastin ndaj klientit të tij.
Mishetiq tha se ende duhet të përcaktohet nëse Dhomat e Specializuara kanë vepruar në mënyrë të paanshme në rastin e Thaçit.
“Nëse Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë vepruar në mënyrë të paanshme në rastin e z. Thaçi, kjo ende duhet të përcaktohet. Nuk i takon Marta Kos-it ta paragjykojë këtë çështje”, ka deklaruar Mishetiq.
Ai iu referua edhe Komitetit të të Drejtave të Njeriut të Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit, duke thënë se ky institucion ka vënë në pikëpyetje paanshmërinë e gjyqtarëve të trupit gjykues në këtë rast.
“Komiteti i të Drejtave të Njeriut të Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit ka vënë në pikëpyetje paanshmërinë e gjyqtarëve të trupit gjykues në këtë rast”, tha ai.
Deklarata e avokatit vjen pas qëndrimeve të shprehura nga zyrtarë evropianë lidhur me procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
