Policia e Kosovës ka njoftuar se po vazhdon angazhimin e kapaciteteve të saj njerëzore dhe logjistike për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë protestës së paralajmëruar për sonte në orën 21:00 në sheshin qendror të Prishtinës, në kundërshtim të aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë.
Policia ka theksuar se pas protestave të qeta, disa pjesëmarrës, përfshirë persona me maska, kanë vazhduar lëvizjet me automjete nëpër kryeqytet, duke i cilësuar disa prej këtyre vozitjeve si të pakontrolluara dhe të rrezikshme për pjesëmarrësit në trafik dhe këmbësorët.
Sipas Policisë, veprimet në terren kanë për qëllim parandalimin e vozitjeve të rrezikshme, mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe lehtësimin e qarkullimit.
Policia ka deklaruar se pretendimet në rrjetet sociale se qytetarët po ndalohen apo ndëshkohen për shkak të flamujve të UÇK-së, duke thënë se nuk është ushtruar dhunë apo marrë masë ndaj askujt për shkak të simboleve historike kombëtare ose të UÇK-së, por vetëm për shkak të shkeljeve ligjore. /Gazeta Express
Komunikata e plotë:
Angazhimet policore në mbarëvajtje të protestës dhe trafikut rrugor
Prishtinë, 20 shtator 2026
Policia e Kosovës, në kuadër të angazhimeve të saj për ruajtjen e rendit, qetësisë publike dhe garantimin e sigurisë së përgjithshme, po vazhdon të angazhojë kapacitetet e veta njerëzore dhe logjistike lidhur me paralajmërimet për mbajtjen e protestës sot, në orën 21:00 në sheshin qendror të Prishtinës, në kundërshtim të aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë.
Siç kemi njoftuar edhe në ditët e kaluara dhe në ditën e djeshme, përmes publikimeve zyrtare se; pas përfundimit të protestave të qeta në kryeqytet, një grup pjesëmarrësish, përfshirë personat me maska, po vazhdojnë protestimet e defilimet me automjete e tyre nëpër rrugët e kryeqytetit, duke vozitur në mënyrë të pa kontrolluar e të rrezikshme, duke dal e qëndruar nëpër dritare e mbi vetura, duke rrezikuar jetën e tyre dhe gjithë pjesëmarrësit e tjerë në trafik, përfshirë këmbësorët.
Veprimet policore në teren siç kemi sqaruar në vazhdimësi kanë të bëjnë ekskluzivisht me parandalimin e ngasjes së rrezikshme e të pakontrolluar të disa automjeteve pas protestave, kan për qëllim mbrojtjen e jetës së këmbësorëve dhe garantimin e sigurisë në trafik për të gjithë pjesëmarrësit si dhe lehtësimin në qarkullim të trafikut në përgjithësi.
Policia përgënjeshtron fuqishëm dezinformatat e shpërndara nga individë të caktuar në rrjetet sociale, se kinse po ndalohen, ndëshkohen apo po ushtrohet dhunë ndaj qytetarëve që mbajnë flamurin e UÇK-së në veturat e tyre.
Me përgjegjësi të plotë ju njoftojmë se Policia e Republikës së Kosovës nuk ka ndaluar, ndëshkuar, e as ushtruar dhunë ndaj asnjë qytetari, për shkak të simboleve historike kombëtare apo simboleve të UÇK-së, por për shkak të shkeljeve ligjore.
Garantimi i sigurisë për qytetarët, mbarëvajtja e protestës në mënyrë të qetë e të sigurt, menaxhimi i trafikut dhe parandalimi i vozitjeve të rrezikshme, janë detyrë e Policisë së Kosovës, e të cilat bëhen në interes të sigurisë së përgjithshme.
Policia e Kosovës si çdo herë falënderon qytetarët për bashkëpunim dhe mirëkuptim, njëkohësisht u bën thirrje qytetarëve dhe mediave që të mbështeten vetëm në informacionet zyrtare dhe të shmangin përhapjen e pretendimeve të pakonfirmuara, veçanërisht kur ato mund të ndikojnë në perceptimin e sigurisë dhe të krijojnë shqetësim të panevojshëm dhe dezinformim në opinion.
